Gjykata e Apelit ka marrë vendimin: Vula e Partisë Demokratike të Shqipërisë i takon liderit historik të demokratëve Sali Berisha.
Ky vendim i rëndësishëm vjen pas rreth 3 vitesh përplasje në kampin opozitar.
Tanimë, kryetari legjitim i partisë më të madhe opozitare në vend është ish-kryeministri. Ky i fundit u rikthye në politikë pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së në 2021-in.
Noka: Ditë e keqe për regjimin
I pranishëm gjatë seancës, bashkë me kolegë të tjerë demokratë, Flamur Noka pati një prononcim të shkurtër për gazetarët jashtë ambienteve të gjykatës. Noka tha se vendimi i gëzon demokratët, ndërsa për “regjimin është një ditë e keqe”.
“E vërteta që demokratët janë ata që vendosin me vullnetin e tyre çdo gjë që ka të bëjë me Partinë Demokratike. Komenti ynë është shumë i thjeshtë, demokratët janë të bashkuar, vendimi i gëzon ata. Por sot është një ditë e keqe për regjimin sepse demokratët e bashkuar nga sot do kenë vetëm një mision, çrrënjosjen e këtij narkoregjimi dhe kthimin e shpresës te shqiptarët. Një opozitë e përçarë ka marrë fund. Një opozitë e zvarritur ka marrë fund. Sot Shqipëria ka një PD të vërtetë. Sot Shqipëria ka një opozitë të bashkuar. Një opozitë të bashkuar që do i japë zë”, tha ai.
Sipas Nokës ka marrë fund koha e opozitës së zvarritur dhe se vendi ka tashmë një PD të bashkuar.
Kur u pyet nga gazetarët për deputetët e tjerë që nuk janë pjesë e grupimit të Berishës, Noka tha se të gjithë janë të mirëpritur në shtëpinë e tyre. Megjithatë kur pyetet specifikisht për Bashën shprehet edhe se nuk do të ketë kurrë thirrje ndaj “shërbëtorëve të regjimit”.
“Thirrja është për çdo demokrat, shtëpia juaj ka qenë dhe është PD. Kjo thirrje vlen për çdo demokrat, por jo për ata që e ndjejnë veten në krah të Edi Ramës. Çdokush që e ndjen veten demokrat dhe në opozitë me këtë regjim, është i mirëpritur. Unë në emër të gjithë kolegëve iu bëj thirrje çdo demokrati të gënjyer, të mashtruar dhe të keqinformuar, kthehuni në shtëpinë tuaj se shtëpia juaj ka vend për çdo qytetar të këtij vendi që është kundër narkoregjimit”, tha Noka.
Festa në seli
“O moj Serbi, murin ta prisha, se mu më thonë Sali Berisha”, me këto vargje të kënduara nga Fatmira Breçani dedikuar ish-kryeministrit, demokratët kanë nisur festën.
Në selinë e Partisë Demokratike, tashmë janë mbledhur dhjetëra demokratë të cilët me 2 gishtat lart, i gëzohen vendimit të Gjykatës së Apelit, që i mori vulën Lulzim Bashës dhe ia dha Sali Berishës.
Nuk kanë munguar as fishekzjarrët në momentin që u dha vendimi.
Tashmë, kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend është Sali Berisha, ndonëse ky i fundit tashmë nuk mund të bëhet pjesë e festës për shkak se ndodhet në “Arrest shtëpie” me akuzën për sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”.