Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla për të përjashtuar gjyqtaren kryesuese Daniela Shirka në gjyqin kundër tij në Gjykatën e Posaçme.
Pretendimi për përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka u bë nga avokati i Llallës në seancën e 29 janarit. Avokati pretendoi njëanshmëri nga kryesuesja, me pretendimin se ajo nuk mund të vijonte gjykimin në një kohë që çështja ishte dërguar në Gjykatën e Lartë.
Ky vendim i hap rrugë vijimit të procesit ndaj ish-kryeprokurorit në Gjykatën e Posaçme, ku ai po përballet me akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”, kryer në tri raste. Për këtë vepër, Kodi Penal parashikon dënim nga gjobë deri në 3 vite burg.