Gjykata e Posaçme lë në masën e sigurisë “Arrest me burg” ish kryebashkiakun Vangjush Dako.
Ish numri një i qytetit të Durrësit ka qenë i pranishëm sot në sallën e gjyqit, ku ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave.
Ai ka pretenduar se ka zbatuar ligjin dhe se ka firmosur mbi akte të përgatitura nga specialistët. Përmes avokatit, Dako ka kërkuar masë më të butë sigurie, por kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata.
Vangjush Dako u arrestua dy ditë më parë. Ai akuzohet dy herë për shpërdorim detyre.
SPAK kërkoi arrestimit e Vangjush Dakos për shkak të ndërtimit të kateve shtesë pa leje të një pallati në qytetin e Durrësit në 2010.
Pallati u ndërtua pa leje dhe ishte planifikuar për 7 kate. Ish-kryebashkiaku firmosi lejen e tij në vitin 2014 teksa ishte bërë 11 kate. Gjithashtu studimi sizmologjik ishte bërë për vetëm 7 kate, duke vënë kështu në rrezik jetën e banorëve.
Episodi i dytë lidhet me tenderin e shëtitores së plazhit. Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në llogaritje, duke e dhjetëfishuar vlerën dhe duke i shkaktuar dëm shtetit 18 milionë Lekë.