Gjykata e Janinës ka refuzuar ekstradimin e Laert Haxhiut në Shqipëri. Në seancën gjyqësore avokatët mbrojtës, Detar Hysi nga Shqipëria dhe një avokat grek, argumentuan se 32-vjeçarit i rrezikohet jeta po të ekstradohet.
Ata u shprehën se Haxhiu është në rrezik nga Aldo Bare, një nga eksponentët kryesorë të krimit në Shqipëri. Këto argumente e bindën gjykatën që ka refuzuar kthimin e 32-vjeçarit në Shqipëri. Gjithsesi, Laert Haxhiu do të vijojë të qëndrojë në qeli pasi mbi të rëndojnë 2 akuza të tjera në shtetin grek.
Laert Haxhiu u prangos në Janinë të Greqisë pas 8 vitesh në arrati. Ai është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ai u dënua për plagosjen e Sajmo Xhelilit dhe Xhulio Shkurtit në 25 Shtator të 2016-ës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Çlirimi”, pas një sherri në lokal.
Gjatë kohës që ishte në arrati, 32-vjeçari tentoi të ekzekutonte për të dytën herë nipin e Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës. Në atë ngjarje u vranë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërkohë që shpëtoi objektivi i atentatit Xhulio Shkurti. Ngjarja ndodhi në Shtator të 2017. Për “Masakrën e Lushnjes”, Laert Haxhiu është në proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për këtë ngjarje, është dënuar me burgim të përjetshëm shoku i tij, Orges Bilbili. Ai u arrestua në Prill të 2020 në zonën e Xhamllikut, në Tiranë.
Në atë kohë, u dyshua se Bilbili ishte së bashku me Haxhian. Por kjo gjë nuk u vërtetua nga hetuesit. Emri i Laert Haxhiut është lakuar edhe për 2 vrasje të tjera, por hetuesit nuk gjetën prova për ta lidhur 32-vjeçarin me ngjarjet.