Emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese pritet të nisë në shtator. Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani tha se të mërkurën nis “filtrimi” i kandidatëve, për të përfunduar brenda 10 ditëve. Më pas procesi kalon në duart e Kuvendit dhe Presidentit.
“Pasnesër Këshilli do të marrë në shqyrtim 14 nga kandidatët, për të lejuar apo ndaluar kandidimin e tyre dhe në ditët në vijim, që sigurisht do të jenë shumë shpejt, ndoshta brenda javës apo në fillim të javës tjetër, edhe pjesën tjetër të kandidatëve. Mbas këtyre vendimeve Këshilli do të kalojë në fazën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve, e cila edhe sipas ligjit është e detyrueshme të përfundojë në një afat maksimal 10-ditor. Kushtetuta dhe ligji parashikojnë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të kryejë procesin e verifikimit dhe vlerësimit dhe organet e emërtesës që në këtë rast do të jenë Presidenti i Republikës dhe Kuvendi kanë një afat maksimal 30 ditor, nga dita që dokumentacioni përkatës mbërrin nga KED. Pra mund të prezumohet që nëse ne në fillim të gushtit përcjellim renditjet përkatëse te Presidenti i Republikës dhe Kuvendi, ata duhet që brenda një muaji të përfundojnë procedurën e tyre. Në rast se ata nuk arrijnë të gjejnë shumicën e nevojshme apo vendosin të mos shprehen me vendimmarrje përkatëse atëherë Kushtetuta dhe ligji parashikojnë dhe mekanizmin i cili nuk e bllokon procesin” , u shpreh kreu i KED, Dvorani.