Të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Tiranës u përballën sot me gjykatën, ku mohuan akuzat e ngritura nga SPAK. Ne seancën ku u njohën me masat e sigurisë shumë prej tyre pretenduan se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.
Gjykata e Posaçme ka lënë të pa ndryshuara masën e sigurisë për 14 nga 15 prej tyre.
Vetëm për Jetmir Llapajn, GJKKO ka zbutur masën e sigurisë duke e konvertuar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Për të njëjtën çështje penale janë caktuar masat “arrest me burg në mungesë” për Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, të cilët janë shpallur në kërkim.
Mes të akuzuarave janë edhe Alqi Bllako e Lefter Koka, tashmë të gjykuar dhe dënuar për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin e Mjedisit. Gjatë seancës ai ka mohuar përfshirjen në aferë duke hedhur akuza në drejtim të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Nuk kam shpërdoruar detyrën. Jam viktimë e Saliut dhe partiçkës së Ilirit. Akuzat janë ngritur mbi bazë perceptimi mediatik e politike. SPAK rri e rri dhe më cakton ndonjë masë. I kërkoj ndjesë stafit të gjithë atyre që ndodhen këtu për shkakun tim”, u shpreh Koka.