Nëse jeni duke bërë seks gjatë një udhëtimi pune dhe pësoni një arrest kardiak, tani e tutje kjo do të konsiderohet si ‘aksident në vendin e punës’. Por për të përfituar nga kjo duhet të jeni francezë, pasi ky është një nga vendimet e fundit që ka marrë Gjykata e Apelit në Paris.
Vendimi erdhi pasi një francez, i cili ishte një teknik i sigurisë, shkoi në një udhëtim pune në veri-perëndim të Francës dhe vdiq ndërsa bënte seks me një grua të panjohur.
“Punëdhënësi i tij dhe specialistët e ndërtimit argumentuan që për shkak se incidenti ndodhi pas orarit të tij të punës, dhe për shkak se ai vdiq në një dhomë tjetër e jo në dhomën e hotelit të rezervuar për të, kompania nuk duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjen”, thuhet në deklaratën e gjykatës të publikuar nga Euroneës.
Specialistët deklaruan në gjyq se vdekja e teknikut kishte ardhur pasi ‘me vetëdije e kishte lënë punën i diktuar nga interesi personal, i pavarur nga punëdhënësi i tij, kur kreu marrëdhënie jashtëmartesore me një grua të panjohur’.
Prandaj, sipas specialistëve “arsyeja e vdekjes së teknikut nuk ka të bëjë me punën e tij, por me aktin seksual që ai kreu me një të huaj”.
Sidoqoftë, pasi çështja midis specialistëve të ndërtimit dhe sigurimeve shoqërore u dëgjua nga Gjykata e Apelit në Paris, ata vendosën kundër kompanisë duke thënë se vdekja i atribuohet një aksidenti në vendin e punës.
“Ligji francez (neni L 411-1 në kodin e sigurimeve shoqërore) përcakton se një aksident në punë është një aksident që ndodh gjatë punës,” tha një zëdhënës i gjykatës për Euroneës, duke shtuar se puna në këtë kontekst i referohet kohës aktuale të punës në vendin e zakonshëm të punës ose kohën kur punonjësi është në një udhëtim pune për punëdhënësin e tij.
“Në këtë rast të veçantë, punonjësi ishte në një udhëtim pune, i cili përfshin kohën e punës kushtuar udhëtimit të punës (koha e udhëtimit, koha e punës gjatë ditës, koha e pushimit gjatë udhëtimit)”, tha zëdhënësi i gjykatës, duke shtuar se, “kjo gjithashtu mbulon natën që atij i duhet të jetë larg shtëpisë së tij.”
Gjithashtu, ai tha se gjatë gjithë periudhës së udhëtimit të punës, i punësuari mbetet nën autoritetin e punëdhënësit derisa të tregohet se ai e ka ndërprerë atë për një aktivitet që nuk mund të konsiderohet pjesë e jetës së përditshme.
Në këtë rast, gjykatësit tregojnë se marrëdhënia seksuale mund të konsiderohet “pjesë e jetës së përditshme”.
Gjykata vendosi gjithashtu që edhe nëse aksidenti ndodhi jashtë dhomës së rezervuar nga kompania, kjo nuk e nxjerr punonjësin jashtë sferës së autoritetit të punëdhënësit.
Burimi: Euronews