Gjykata Speciale ka vendosur që ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Ish-presidentit tashmë edhe zyrtarisht iu është refuzuar kërkesa që të mbrohet në liri.
Vendimi është marrë sot nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guillou, i cili injoroi garancinë e ofruar nga dy shtete për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit.
Thaçi dha dorëheqjen më 5 nëntor të vitit 2020 nga posti i presidentit për t’u përballur me akuzat në Hagë për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Gjyqi kundër tij parashikohej të niste verën e këtij viti, por keq llogaritja kohore ka bërë që ende të mos caktohet një datë për seancën e parë gjyqësore. Me shumë mundësi ajo do të mbahet vitin e ardhshëm për shkak të vonesave të shumta në procedura.