Pasi dështoi për herë të tretë seanca gjyqësore në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Dibrës Shukri Xhelili, gjykata urdhëroi që ky i fundit të shoqërohej me forcë në gjyqin e radhës.
Dosja për Shukri Xhelili, i cili ndiqet penalisht në gjendje të lirë nga prokuroria e Dibrës, për “mosdeklarim dhe deklarim të rremë të interesave private (pasurisë)”, mbi bazën e kallzimit të ILDKPI-së, u dërgua për gjykim në korrik të këtij viti, por megjithatë deri tani nuk ka qenë e mundur të zhvillohet asnjë seancë.
Xhelili akuzohet nga Prokuroria e Dibrës, se nuk justifikon me dokumente zyrtare kontratën për blerjen e një apartamenti në Durrës, me vlerë 34.000 euro, në emër të djalit të tij. Ai vetë pretendon se blerja e apartamentit nuk ishte deklaruar pasi ishte bërë me kontratë kleringu.
Gjatë seancës së fundit gjykata tha se shkak për shtyrjet, ishte bërë mosparaqitja e të pandehurit dhe avokatit të tij mbrojtës. Sipas gjykatës “i pandehuri dhe avokati i tij mbrojtës ishin vënë në dijeni të zhvillimit të seancës, me anë të dërgimit të flet-thirrjeve dhe telefonit, ata u treguan të gatshëm për tu paraqitur në këtë seancë”.
Mungesa e tyre, në kushtet kur palët nuk kanë paraqitur shkaqe, u cilësua prej gjykatës “e papranueshme”. Me propozim të prokurores, gjykatësi i seancës vendosi; “të njoftojë të pandehurin Shukri Xhelili, me shoqërim të detyrueshëm nëpërmjet policisë gjyqësore, në seancën e radhës që u caktua të mbahet më 16 nëntor”.
Ish-kryebashkiaku i Dibrës përfundoi në fund të muajit Maj dënimin me 1 vit e 8 muaj burg, përfshi kohën e paraburgimit, për akuzën e “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Xhelili u arrestua në Maj 2016 pas trasmetimit të një kamera të fshehtë ku ai shfaqej duke i ofruar një vend pune një vajze në këmbim të favoreve seksuale. Xhelili, i zgjedhur kryebashkiak në Dibër në vitin 2015 si kandidat i Partisë Socialiste u shkarkua menjëherë nga kryeministri Edi Rama dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimin e tij duke lënë në fuqi shkarkimin.
Ai u dënua fillimisht në Shkallën e Parë për “korrupsion pasiv” me 2 vjet e 8 muaj burg, por më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e ndryshoi akuzën dhe i uli dënimin me 1 vit. Xhelili u dënua edhe me 5 vjet heqje të drejte për ushtrim të funksioneve publike.