Gjykata e Posaçme vendos t’i japë mundësi ish-ministrit Lefter Koka të marrë trajtim mjekësor edhe jashtë mjediseve të paraburgimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, sa herë të jetë e nevojshme.
Trajtimet mjekësore ish-ministri mund t’i marrë në QSUT apo edhe në qendra spitalore të veçanta.
Ky vendim i gjykatës ka ardhur pas akt ekspertimit të mjekësisë ligjore se gjendja e ish-ministrit është e rënduar.
Por, kjo arsyeton gjyqtari Erjon Bani nuk përbën arsye që atij t’i zëvendësohet masa e sigurimit personal, pasi veprat penale për të cilat ai akuzohet e tejkalojnë masën e dënimit që ai mund të ketë.
Legjislacioni parashikon që zbutja e masës së sigurimit kryhet në një moment kur dënimi i parashikuar është deri në 5 vjet.
Pastrimi i parave e korrupsioni kryer këto në bashkëpunim, janë vepra që dënimi parashikohet të jetë nga 15-35 vjet heqje lirie.
Përballë këtyre kushteve ish ministrit, Lefter Koka iu mohua një masë më e butë sigurimi se ajo e arrestit në burg për inceneratorin e Elbasanit.
Jo më larg se dje, Kokës iu rrëzua edhe kërkesa për ndryshimin e masës së sigurimit personal nga Apeli i Posaçëm edhe për inceneratorin e Fierit.
Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK. Ndaj tij janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë te Fierit.
Ndërkohë, Alqi Bllako, ish-vartës i Kokës në Ministrinë e Mjedisit, pas ndryshimit të vendimit në Apel, duke e rikthyer në burg, është dërguar në Durrës. Burime bëjnë me dije se ndodhet në të njëjtën qeli me Kokën.