Partia Socialiste kërkon që gjyqtarët që nuk kanë kaluar vetting-un të mos përfshihen në listat e kandidatëve në zgjedhjet e 18 qershorit.
“Propozojmë që çdo gjyqtar apo prokuror që nuk ka kaluar përmes procesit të vetting-ut, por është dorëhequr, apo që nuk ka përfunduar procesin e vlerësimit, nuk mund të përfshihet në listat e kandidatëve të partive për zgjedhjet e 18 qershorit”, propozoi Taulant Balla në emër të grupit parlamentar socialist.
“Propozimi që do të depozitojmë sot ka të bëjë me një shtesë në Kodin Zgjedhor që parandalon përfshirjen në listat e kandidatëve ata që nuk e kanë bërë vetting-un ose që procesi i vlerësimit nuk ka përfunduar”, tha Balla.
“Meqenëse Kuvendi ka miratuar ligjin që personat me rekorde kriminale mos të hyjnë në lista, as prokurorë e gjyqtarë që nuk kanë kaluar vetting-un, nuk do përfshihen. Ne synojmë që ky propozim të diskutohet në komision, por nëse PD-ja vazhdon ta bojkotojë komisionin, ne do ta depozitojmë në rrugët që përcakton rregullorja e Kuvendit për amendamentet ligjore”, shtoi Balla.