Opinione Nga Dritan Hoti / Interesi amerikan në organizimin politik të Shqipërisë

Nga Dritan Hoti / Interesi amerikan në organizimin politik të Shqipërisë

Pikëtakimet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, apo çështja shqiptare ndodhën në tri kontekste të diferencuara historike, përgjatë një shekulli, atij XX, duke evoluar në një dimension progresiv, më të përthelluar në dy dekadat e para të shekullit XXI. Pothuajse deri në ndërhyrjen ushtarake të kryesuar nga Amerika në kapërcyellin e dy shekujve, atij në Kosovë, çështja shqiptare ishte trajtuar ne një prizëm gjeopolitik sipas filozofisë së të bërit diplomaci të Amerikës. Në takimin e parë, i cili ngjau në Konferencën e Versaille-s në Paris 1919-1920, preceptet e Presidentit Wilson për marrëdhëniet ndërkombëtare të mbështetura në parimet e vetëvendosjes për cilindo komb që do të gjeneronte një rend drejtësie dhe si rrjedhojë një harmoni universale, nuk është se u përshtatën nga kabinetet e Evropës në sistemin evropian ndërmjet 2 luftërave botërore, por frenuan vazhdimin e trajtimit të çështjes shqiptare si një objekt në funksion të makinacioneve gjakftohta të real-politikës evropiane. Ekzistenca e një Shqipërie te pacenuar, e njëjtë për nga përmasa me atë aktuale, është mundësuar nga përkrahja e presidentit Wilson, e cila rezultoi, cilido qoftë, regjimi i saj, si një reference për tërësinë e shqiptarëve që jetonin jashtë shtetit amë. Diktatura e egër e Enver Hoxhës nuk ishte kurrsesi një version nacionalist i marksizmit, por një regjim stalinist radikal, i cili refuzoi çdo nuance reformizmi apo revizionimi duke provokuar si finalitet një rrënim gjithëpërfshirës, atë material e moral të Shqipërisë, duke prekur pothuajse pikën zero. Po si mund të përfshihej një shtet i tillë në një sistem ndërkombëtar, për më tepër në ato rrethana, a mund të shkonte zgjidhja e çështjes shqiptare në favor të Shqipërisë diktatoriale, duke mbajtur parasysh konstelacionin e marrëdhënieve ndërkombëtare të botës së atëhershme? SHBA-të pas disa tentativave për përmbysjen e regjimit në fillimet e tij, e vendosën çështjen shqiptare në funksion të ekuilibrave rajonalë duke hedhur poshtë çdo propozim të cenimit territorial të Shqipërisë, qoftë ajo diktatoriale.

Shtetet e Bashkuara ushtruan plotësisht filozofinë e diplomacisë së tyre përkundrejt Shqipërisë e çështjes shqiptare në tërësi në botën e pasluftës së ftohtë. Ndihmesa ne rrëzimin e komunizmit, integrimi i përshpejtuar i Shqipërisë në strukturën e Atlantikut të Veriut si dhe në kuadër të çështjes shqiptare, çlirimin e Kosovës. Përfundimi i kësaj sipërmarrjeje amerikane është, se brenda pak më shumë se një dekade u përmbys një traditë cinike e gjatë në kurriz të çështjes shqiptare nga një pjesë e kancelarive të shteteve historike evropiane, u realizua jo vetëm në mbizotërimin e interesave amerikanë në rajon, por edhe në frymën e riparimit të një padrejtësie historike, rezultat i së cilës ishte plazmimi i ndjenjës së fortë pro-amerikane të shqiptareve në një periudhë kur perceptime të tilla po zvogëloheshin disi në mesin e disave nga popullsitë e kontinentit të vjetër, duke vulosur kësisoj nga njëra anë edhe një aleancë jetike të Shqipërisë me SHBA-të, si dhe nga ana tjetër një detyrim për patronazh te Amerikës përkundrejt popullit shqiptar. Mirëpo arritjet historike të shqiptarëve në dekadat e fundit të shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI kontrastonin me organizmin politik në Shqipëri. Pikërisht, për sa i përket dinamikës së brendshme të politikës shqiptare ekziston një renditje shkaqesh e faktesh dhe ndër më kryesoret janë: vendndodhja gjeografike, e cila kishte ushqyer edhe vizionin historik të Bismarck-ut kur shprehej: “Stabiliteti e prosperiteti ekonomik e social që është i ndërlidhur me përgjegjshmërinë institucionale dhe devocionin kombëtar, karakterizon më së tepërmi kombet e veriut të Evropës. Si rrjedhojë, ato, kombet e veriut të kontinentit do t’i japin tonin e duhur historisë”; gjendja historike, e cila identifikohet kryesisht me periudhën e gjatë të pushtimit otoman dhe diktaturën komuniste, sidomos kjo e fundit ku prej së cilës u transportua një pjesë e problematikave komplekse dhe e mendësisë funksionale në të ashtuquajturën “demokracia 25-vjeçare shqiptare”. Në rast se në princip struktura e sistemit në Shqipëri i përmban të tria rendet: -atë legjislativ, të mishëruar në parlament, -rendin ekzekutiv, qeveria dhe sistemin e drejtësisë, sipas maksimave të Monteskieusë dhe Tocquevill-it; realisht ai në vendin tonë nuk është dhe ende nuk funksionon si i tillë. Në fakt, pushteti politik, cilado qoftë forca politike përfaqësuese u përpoq të kontrollonte apo influenconte sistemin gjyqësor shumë më tepër se sa të favorizonte evoluimin e drejtësisë si një korpus i pavarur dhe profesional. Në një vend si Shqipëria ku pothuajse përgjatë 100 viteve të ekzistencës së shtetit të shqiptar, ditët në të cilat sistemi i drejtësisë ka njohur një farë pavarësie ishin shumë të pakta, duke e shkëputur këtë të fundit nga çdo traditë mëvetësie, reagimi moral dhe profesional; dhe se ishte shumë e lehtë që ai të binte pre e një procesi manipulimi dhe nënshtrimi prej pushtetit politik, me pasoja të rrezikshme në tërësi për vendin. Privimi nga sistemi funksional i gjyqësorit inkurajoi dhe instaloi mekanizmat e një pushteti politik korruptiv, bashkëpunues, shfrytëzues dhe i shfrytëzuar nga segmente të krimit të organizuar, duke i dhëne formë një demokracie të deformuar dhe prej ku edhe frakturat e çakordimet e thella sociale, si dhe një brerje etiko-morale të shoqërisë shqiptare, e cila për më tepër lëvizjet kontestuese popullore në emër të normave rregulluese të shtetit të së drejtës i janë dukur si abstrakte. Në epokën aktuale shoqëritë të cilat përjetojnë, jo akumulimin e fuqisë, por rënien, shpërbërjen e saj, janë të prirura të bëhen pre e interferencave jo kurrsesi dashamirëse ndaj tyre, duke rrezikuar përshpejtimin e proceseve në dëm të interesave të përhershëm kombëtarë apo sukseseve të arritura. Në këtë kategori përfshihen edhe shtete si Shqipëria në një gjendje dobësie endemike, në mungesë të funksionimit të duhur të instrumenteve të shtetit të së drejtës. Shtetet e Bashkuara, të cilat në një kontekst gjeo-politik e strategjik kishin zhbllokuar çështjen shqiptare, duke garantuar sovranitetin e mirëfilltë të Shqipërisë, në një moment të përshtatshëm por edhe të shumëpritur nisën procesin e injektimit të një sistemi gjyqësor të reformuar dhe funksional, e mishëruar në termin: Reforma në Drejtësi, duke marrë përsipër të vendosin gurin themeltar në proces-formimin e shtetit-komb modern shqiptar. Në traditën amerikane, e cila do të njohë nuanca rikonceptimi në forme dhe jo në përmbajtje, e cila do të vazhdojë të përvijohet edhe nën Administratën Trump, parashikon që shtetet të cilat janë pjesë e një kordoni të rëndësishëm të strategjive rajonale që janë njëkohësisht edhe shtyllat mbështetëse të strategjisë globale të SHBA-ve, duhen shoqëruar e asistuar sipas rastit, në mënyrë të dyfishte, organikisht të ndërlidhura: në një sfond gjeopolitik dhe një organizim politik të brendshëm, të përcaktuara dhe të prira nga parimet bazë, të zbatuara sipas mekanizmave të shtetit ligjor. Ja sesi Reforma në Drejtësi, e cila sapo nisi implementimin në Shqipëri identifikohet nga zyrtarët amerikanë si e lidhur pazgjidhshmërisht me interesin amerikan. Kjo Reformë, duke anashkaluar spekulimet dashakeqëse, është një investim zyrtar i SHBA-ve si rregullator i garantimit të ekuilibrave institucionalë dhe frenimit te ekseseve dhe deviacioneve të mëdha socio-politike të cilat kanë përcaktuar dobësinë si dhe çrregullimet e brendshme shqiptare. Ndërsa, investimi amerikan për nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërkombëtare e futi rrjedhën e çështjes shqiptare në hullitë e normalitetit duke e siguruar atë nëpërmjet perimetrit mbrojtës, të cilin Organizata e Atlantikut të Veriut ua garanton vendeve pjesëmarrëse në të, suksesi i Reformës në Drejtësi do të gjenerojë reformimin e organizimit të brendshëm politik të Shqipërisë, duke përmbysur këtë herë një traditë të hershme shqiptare të ushtrimit të pushtetit. Kjo sfidë që shkon në ndihmë të popullit shqiptar, do të ravijëzojë edhe gamën si dhe limitet po të shoqërisë shqiptare, për t’u përballur me të.

*Profesor i Marrëdhënieve ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.