Kur janë numëruar 99.81 për qind e qendrave të votimit në mbarë Turqinë, e cila zhvilloi një ditë më parë zgjedhjet lokale, partia e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan ka humbur kontrollin e kryeqytetit, Stambollit dhe Izmirit, në atë që përbën goditjen më të fortë ndaj pushtetit të tij në 16 vitet e fundit.
Një gazetar i shquar turk, Rusen Çakir tha se rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte “po aq historik sa ai i vitit 1994”, duke iu referuar kështu vitit kur Erdogani u zgjodh kryebashkiak i Stambollit.
Është pikërisht qyteti me popullsinë më të madhe në Turqi, ai që shtrihet njëkohësisht në dy kontinente, Europë e Azi, kryeqendra e tregtisë detare e jo vetëm, ai që bie pas kryeqytetit Ankara dhe qytetit të tretë më të madh, Izmir.
Stambolli shërbeu dikur si trampolinë për ta ngjitur drejt politikës, pa e ditur se kryebashkiaku i atëhershëm do të kthehej në figurën më të rëndësishme që do të dominonte pushtetin në 16 vite, derisa u bë edhe president me fuqi të shtuara ekzekutive, pas referendumit të një viti më parë.
Erdogan e dha që mbrëmjen e së dielës një sinjal disfate, edhe pse i konteston këto zgjedhje, për shkak të diferencave të vogla.
“Edhe nëse kemi pasur ndonjë mangësi, është detyra jonë ta korrigjojmë atë”, do të shprehej ai në një dalje publike përpara mbështetësve të vet në Ankara të dielën në mbrëmje. E vetëm pak më vonë do të shtangte edhe besnikët më të mëdhenj, që kishin dalë madje të festonin rrugëve të Stambollit. “AKP-ja mund të ketë humbur edhe kontrollin e Stambollit”, do të paralajmëronte ai.
Entuziast u shpreh lideri i opozitës. “Njerëzit kanë votuar në favor të demokracisë. Ata kanë zgjedhur demokracinë mbi gjithçka”, është shprehur udhëheqësi i CHP-së në opozitë, Kemal Kiliçdaroglu.