Aktualitet “Goldfinger”: Kush është shkodrani që “zbardhi” me kokainë Europën

“Goldfinger”: Kush është shkodrani që “zbardhi” me kokainë Europën

Detaje të reja kanë dalë rreth kreut të grupit kriminal në Shkodër, Jetmir Kastratit, të cilit iu sekuestruan 3 mln euro pasuri që kishte investuar në Shqipëri, i njohur ndryshe edhe me pasaportën e kosovare si Sokol Krasniqi.

Kastrati rezulton të jetë shkodrani që drejtonte dhe financonte grupin e gjerë të trafikut të kokainës, që vepronte në territorin e Danimarkës, Gjermanisë, Hollandës, Suedisë, Belgjikës, Shqipëri e vende të ndryshme të Europës.

Ai kishte si prioritet vetëm trafikimin e kokainës, ku furnizohej në Kolumbi dhe Ekuador, duke e futur më pas në vende të Europës, e shitur deri në Danimarkë dhe Suedi.

Paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal ishin investuar në Shqipëri dhe të regjistruara në emër të familjarëve të tij dhe të tre personave të tjerë të arrestuar Dëfrim Eçi, Armando Duçaj, dhe Eri Pelinku.

Të katër shqiptarët ranë në pranga në Danimarkë pas operacionit të parë ndërkombëtar me të njëjtin emër “Goldfinger” teksa në Shkodër u sekuestrua një tjetër pjesë e pasurisë së grupit kriminal.

Pjesë e këtij grupi në rolin e administruesit të pasurisë është dhe kunati i Kastratit, Astrit Beqiri. Nga regjistrimi në zyrat shtetërore me qëllim për të fshehur pronësinë reale mbi to, Astrit Beqiri rezulton zotëruesi i pasurisë së majmë që u sekeustrua më 26 qershor të këtij viti.

51-vjeçari ra në pranga teksa ndodhej në shtëpinë e tij në Shkodër ndërsa u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro, që dyshohet të jenë siguruar si pasojë e tregtimit të narkotikëve.