Cila do të jetë e ardhmja e Gonzalo Higuainit? Kush do të jetë qendërsulmuesi i Juves së Pirlos? Përgjigjet e të dyja pyetjeve janë të lidhura, sepse “Pipita”, aktualisht, është çështja kryesore që duhet të zgjidhet në shtëpinë e kampionëve italianë, pasi ka bllokuar merkaton e bardhezinjve.
“Bomberi” argjentinas nuk është më pjesë e planeve të “Zonjës së Vjetër”, pas sezonit zhgënjyes që sapo përfundoi, pavarësisht një starti premtues. “Pipita”, i cili do të kishte dashur rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2021, akoma rëndon 18.3 milionë në llogarinë e Juves dhe për këtë arsye po kërkohet një blerës, në mënyrë që të mos ngarkojë më tej buxhetin, tashmë të rënduar nga ndikimi i COVID-it dhe eliminimi i parakohshëm nga Championsi.
Në horizont nuk ka të interesuar për futbollistin, sepse Higuain ka një pagë të majme 7.5 milionë euro në sezon, gjë që frikëson blerësit e mundshëm. Për më tepër, pozicioni i Gonzalos është i qartë dhe ilustrohet nga fjalët e babait të tij, Jorge: “Juve nuk e do më? Është një shpikje. Është pothuajse e pamundur që Gonzalo të luajë te River Plate, ai nuk do të heqë dorë nga kontrata e tij për të shkuar si lojtar i lirë në ndonjë skuadër tjetër. Mendoj se ai do të përfundojë kontratën e tij atje dhe pastaj mund të kthehet te Riveri apo të luajë tjetërkund”. Me pak fjalë, as që diskutohet rishikimi i termave të marrëveshjes. Duke pasur parasysh situatën, klubi do të preferonte që ta largohet qoftë pa përfituar nga kartoni i tij e të shpëtonte nga paga e lartë, që rëndon buxhetin e “Zonjës së Vjetër”.