Kërkimet e lajmeve në motorin e kërkimit dhe shërbimin Google News mendohet se i kanë sjellë gjigantit të teknologjisë Google më shumë se 4,7 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2018, shkruan New York Times, duke iu referuar studimit të realizuar nga News Media Alliance (NMA), që përfaqëson rreth 2 mijë të përditshme në SHBA dhe Kanada.
Sipas të dhënave, rreth 40% e faqeve të vizualizuara në Google u referohen përmbajtjeve që lidhen me lajme. Për këtë arsye, David Chavern, president dhe drejtues ekzekutiv i News Media Alliance, ngre problemin e nevojës për të riparë kushtet e marrëveshjeve mes Big G dhe editorëve, të cilët kërkojnë të marrin një pjesë më të madhe të atyre fitimeve, duke qenë se janë prodhuesit e atyre përmbajtjeve.
Gjithnjë duke iu referuar studimit, të ardhurat që vijnë nga reklamat dixhitale për gjithë sektorin e informacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin 5,1 miliardë dollarë në vitin 2018. “Ata fitojnë para me këto marrëveshje, ndaj është e nevojshme rishikimi i tyre, në mënyrë që ata që publikojnë lajmet të përfitojnë më shumë” – shton Chaven.
Qëllimi i shoqatës është të hedhë dritë në kushtet e një problemi që prek gjithë sistemin editorial pak në të gjithë botën, në marrëdhënien me kolosët e teknologjisë, për të përcaktuar një shpërndarje më të drejtë të fitimeve që vijnë nga përdorimi dhe përhapja e informacionit. Presidenti i NMA shpreson që studimi të sjellë miratimin e Journalism Competition and Preservation Act, i cili parashikon një përjashtim nga rregullat antitrust prej katër vjetësh për editorët e lajmeve, të cilët mund të bashkohet dhe të kundërshtojnë fuqinë e gjigantëve teknologjikë si Google dhe Facebook.
Nuk është hera e parë që Google është në qendër të një polemike të ngjashme me editorët. Vitin e kaluar, Bashkimi Europian propozoi aplikimin e një link tax, e cila kishte si qëllim që Google të paguante një përqindje për çdo vizualizim të artikujve që lidhen me faqet e Google News. Në përgjigje të kësaj, Google kërcënoi me mbylljen e shërbimit.