Google thotë se kompjuteri i tyre i avancuar ka arritur “supremacinë kuantike” për herë të parë, duke tejkaluar performancën e pajisjeve konvencionale.
Superkompjuteri i Google i quajtur Sycamore përdor një procesor kuantik, që sipas kompanisë ka arritur të kryejë për 200 sekonda një detyrë specifike që kompjuterit më të shpejtë tradicional në botë do t’i duhej 10,000 vite për ta kryer.
Shkencëtarët kanë mbi 10 vite që punojnë për kompjuterin kuantik, që premton performancë me shpejtësi marramendëse.
Megjithatë konkurrentët e Google, IBM, që gjithashtu po zhvillon kompjuterin e saj kuantik, ka kritikuar arritjen e Google për “supremaci kuantike” duke thënë se rezultatet nuk ishin edhe aq mbresëlënëse sa pritej, raporton newsbomb.al.
“Ne argumentojmë se një simulim ideal i së njëjtës detyrë mund të kryhet në një sistem klasik brenda 2.5 ditësh dhe me siguri shumë më të madhe,” thanë studiuesit e IBM, Edwin Pednault, John Gunnels dhe Jay Gambetta në një postim në blog.
Në kompjuterat klasikë, njësia e informacionit quhet “bit” dhe mund të ketë një vlerë që është 1 ose 0. Por ekuivalenti i tij në një sistem kuantik – qubit (bit kuantik) – mund të jetë 1, 0 ose 1 dhe 0 në të njëjtën kohë.
Ky fenomen hap mundësinë për kryerjen e shumë llogarive njëkohësisht. Por kuibitet duhet të sinkronizohen duke përdorur një efekt kuantik (entanglement).