Zbulohen detaje interesante nga arrestimi i njërit prej tre grabitësve ndaj punonjësit të një pike këmbimi valutor në Tiranë të cilit iu morën me forcë 3 milionë lekë të reja. Burime nga grupi hetimor thanë se rolin e vëzhguesit e kishte 22-vjeçari Roni Spaho i vili kishte mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e 60-vjeçarit Qani Zili.
Sapo ai ka dalë me paratë për t’i dorëzuar në bankë kanë hyrë në aksion dy 26-vjeçarë të cilët e kanë kërcënuar me një sqepar dhe i kanë marrë paratë. Duke u larguar me një motor ata janë përplasur me një automjet në afërsi të një karburanti.
Aty e kanë braktisur motorin dhe duke u larguar i kanë fshehur paratë në një pusetë. Policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë dhe i ka zbuluar paratë, por i ka lënë aty dhe ka pritur që autorët të kthehen dhe t’i marrin ato.
Disa oficerë policie të veshur civilë kanë qëndruar në gatishmëri dhe mbrëmjen e së mërkurës është afruar 22-vjeçari Roni Spaho i cili është vënë menjëherë në pranga. Tre të rinjtë akuzohen për “vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.