Policia e Shtetit ka arritur të arrestojë dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala. Këta dy persona ishin shpallur në kërkim në lidhje me grabitjen e Rinasit në Prill të vitit të kaluar.
Mësohet se në operacionin për kapjen e tyre janë përfshirë 300 forca policie. Uniformat blu kanë sekuestruar disa armë zjarri, sasi të mëdha parash dhe automjete.
“Vëllezërit, të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë në zonën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit”, thuhet në njoftim. Megjithatë, pritet që më vonë policia të bëjë publike detajet e mëtejshme të këtij operacioni.
Klement Çala është cilësuar si truri i grabitjes së 6.5 milionë eurove në pistën e Rinasit.
Nga grabitja e 9 Prillit janë vënë në pranga Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli, Saimir Çela dhe Alkond Bengasi.
Më vonë u arrestua edhe Hasan Kanaçi, personi që dyshohet se informoi grabitësit nga brenda aeroportit për transfertën e parave drejt Vjenës.
Nga ngjarja e 9 Prillit pati edhe një viktimë. Gjatë arratisjes, grabitësit u ndoqën nga policia ku pati edhe shkëmbim zjarri. Për pasojë mbeti i vrarë grabitësi Admir Murataj.