Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, tha sot nga foltorja e Kuvendit se siguria e aeroportit të Rinasit tashmë është e garantuar. Lleshaj tha se kjo ngjarje ka shumë aktorë të përfshirë brenda saj dhe se Policia e Shtetit ka siguruar prova të rëndësishme, që do të sjellin rezultate për hetimin.
“Ajo ngjarja na prek të gjithë. Është seria e 5 e një seriali të nisur më parë dhe që ka shumë aktorë brenda. Ajo që ndodhi pardje, është se forcat e sigurisë kanë reaguar fort dhe i kanë dhënë një goditje të madhe grupi kriminal. Kemi marrë masa të forta për të zhbërë këtë fenomen turpi. Siguria ndodhet në duart e privat, kemi transferuar sovranitet në duar e një koncensioniar privat. Do gjeni shumë duar që kanë ndihmuar koncensionarin. Madje emra të njohur kanë kontribuar në këtë situatë”, tha Lleshaj.
Më tej, ministri i Brendshëm tha se siguria Kombëtare është cenuar, por nuk ka rënë. Sipas tij qeveria mori masa të forta për të marrë nën kontroll situatë.
“U tha që është cenuar siguria Kombëtare, por edhe mund ta pranojmë këtë, por siguria Kombëtare e vendit nuk ka rënë. Qeveria mori masa të shpejta, të forta për të marrë nën kontroll, që ky aset i rëndësishëm i sigurisë së vendit, të mos përsëritet. Dje aeroporti u vu nën survejimin e Forcave të Armatosura, të cilat kanë mision Kushtetues sigurinë Kombëtare. Nëse konstatojmë se vendi është kërcënuar, jo cenuar, e kanë detyrë që të veprojnë”.