Një tjetër person është shoqëruar si i dyshuar për grabitjen e Rinasit, më 9 Prill të këtij viti, ku mbeti i vrarë Admir Murataj.
Teksa emri nuk bëhet ende i ditur, burime nga policia bëjnë me dije se personi i shoqëruar është shtetasi me inicialet H.K., punonjës i aeroportit në sektorin e ngarkim-shkarkimit.
Ai dyshohet të jetë i përfshirë në ngjarje, e do të merret në pyetje për grabitjen e parave pasi dyshohet se ndihmoi autorët.
Grabitja ndodhi brenda aeroportit të Rinasit, teksa ngarkoheshin në avion. Autorët morën thasët me miliona euro dhe u larguan, por u përplasën me armë me policinë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë Admir Murataj.
Ndërkohë nga policia janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar: Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Elton Pikli, Saimir Cela dhe shtetasi nga Kosova, Ragip Hajdini. Alkond Bengasi është bërë dëshmitar i drejtësisë dhe ka dhënë dëshmi që i shërbejnë zbardhjes së supergrabitjes.