8 muaj pas supergrabitjes së 980 mijë eurove në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza”, Policia e Shtetit ka gjetur një sasi parash që dyshohet se u morën teksa po trasportoheshin për në avion.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “INTERPOL”-i, Aleks Pepa, i cili u identifikua nga provat shkencore, si shoferi i automjetit që çau rrethimin e Rinasit.
Në banesën e një të afërmi të 42-vjeçarit në qytetin e Elbasanit janë gjetur 50 mijë euro të pajustifikuara.
Por ndryshe nga grupi i grabitësve që sulmonte autoblindet e parave dhe valutën e fshihte në tenxhere me presion të groposura, këtë herë paratë janë gjetur të fshehura në brendësi të një frigoriferi jashtë funksionit.
Sasia e eurove të gjetura do t’i nënshtrohet verifikimeve në bashkëpunim me bankën që iu vodhën. Burimet thonë se pas gjetjes së parave, në Elbasan ka qenë i pranishëm edhe zv.drejtori i Përgjithshëm për Krimet e Rënda, Ardian Çipa.
42-vjeçari Aleks Pepa, i cili rezulton të jetë larguar nga Shqipëria pak kohë pas grabitjes, cilësohet si personi kyç për zbulimin e autorëve të tjerë, të cilët mesditën e 30 qershorit të vitit të kaluar realizuan grabitjen e paprecedentë. Fotoja e tij ndodhet në faqen zyrtare të “INTERPOL”-it, ndërsa edhe kjo grabitje dyshohet se është realizuar nga një grup i strukturuar kriminal me pjesëmarrjen e 5 ose 6 personave.