Zbardhen detaje të reja për grabitjen në rrugën, Qafë-Kashari Rinas. Burimet pranë grupit hetimor, i thanë ABC News se kompania privat nuk ka njoftuar policinë e shtetit për transportin. Si dhe nuk janë gjetur gëzhoja, që provojnë deklarimet e punonjësve të policisë private, që pretendojnë se kanë qëlluar me armë. Prokuroria, ngre dyshime për bashkëpunimin mes grabitësve dhe punonjësve të kompanisë private.
Kompania “JAGUAR” e liçensuar si shoqëri private e sigurisë fizike, e cila po transportonte parat drejt aeroportit të Rinasit, nuk ka njoftuar policinë për këtë transport.
Abc News ka mësuar nga burimet pranë policisë së shtetit dhe prokurorisë, se salla operative e kompanisë së shoqërimit të parave nuk ka njoftuar policinë për transportin e parave. Mungesa e njoftimit të policisë, ka hedh dyshime se dikush nga brenda kompanisë, ka bashkëpunuar me grabitësit, pistë e cila po hetohet tashmë nga policia dhe prokuroria.
Sipas akuzës, drejtuesi teknik I kompanisë JAGUAR që tashmë është arrestuar ka pretenduar se në sallën operative të policisë është njoftuar për transportin e parave. Por, nga verifikimet e kryera kjo telefonat nuk është bërë për transportin e orës 13:00. E vetmja telefonat, që rezulton në sallën e policisë, është ajo e orës 12:00 për transportin e një shume tjetër parash, që ka kaluar pa problem deri në Rinas. Sipas policisë, para se të kryhet grabitja, në rrugën Tiranë-Rinas dy kompani tjera kanë transportuar parat pa ndonjë problem. Veç kësaj, hetuesit dyshojnë se mos vendosja e GPS-ve, mos funksionimi i kamerave të sigurisë së makinave të përshtatura si blind dhe mungesa e makinës së dytë shoqëruese, ngrenë dyshime të arsyeshme, se dikush nga brenda kompanisë ka bashkëpunuar me grabitësit.
Nga ana tjetër, dyshohet se në vjedhjen e kryer, grabitësit kanë qenë me tre makina, ku dy fuoristradat janë përdorur për të bllokuar rrugën dhe goditur blindin, ndërsa makina e tretë ka transportuar parat nga vendi i ngjarjes. Burimet thonë se një fuoristradë i ka ndjekur nga pas duke parakaluar makinën shoqëruese, të cilës i ka zënë rrugën, duke detyruar të ndalet. Dhe në këtë moment, makina tjetër ka dal nga një rrugicë, duke goditur mjetin ku ndodheshin parat. Ndërsa makina tretë ka ardhur nga pas, duke transportuar grabitësit dhe 8 thasët, që banka pretendon se i janë vjedhur 2.7 mln euro. Pas grabitjes, rezulton se dy makinat kanë ikur në drejtim të urës së Sharkës, ku janë braktisur dhe djegur. Mjeti i tretë, me parat dyshohet se ka ikur në drejtim të rrugës së Laknasit. Për këtë ngjarje, janë arrestuar 6 punonjës të kompanisë private dhe janë shoqëruar shumë të tjerë, me dyshimin e përfshirjes në grabitje.