Grabitja e parave në aeroportin e Rinasit nuk ka cënuar sigurinë kombëtare. Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë fjalës së tij në Parlament, ku ishte thirrur për interpelancë nga deputetët e rinj të opozitës.
Ministri Lleshaj u shpreh se siguria kombëtare nuk mund të cënohet nga një grup prej 5 personash që grabitën paratë në momentin që po ngarkoheshin në aeroplan për t’u transportuar jashtë Shqipërisë.
“Nuk është një ngjarje apokaliptike, nuk është një cënim i sigurisë kombëtare. Siguria kombëtare nuk mund të cënohet nga një grup prej pesë personash. Ngjarja është dëshmi e një serie dështimesh të disa hallkave që janë përgjegjëse për sigurinë në aeroport. Përgjegjësia i është transferuar një kontraktori privat. Unë s’do ta kisha votuar kurrë këtë vendim”, u shpreh Lleshaj.
Ministri i Brendshëm bëri edhe një kronologji të grabitjes së ndodhur më 9 Prill, ku persona të armatosur dhe maskuar grabitën rreth 6.4 milionë Euro.
“Policia kishte marrë në rrugë të treta njoftimin për ngjarjen dhe cënimin e sigurisë. Në rrugë zyrtare salla ka njoftuar Komisariatin e Rinasit 6 minuta e 30 sekonda më vonë. Në të njëjtën kohë, TIA ka njoftuar Aviacionin Civil 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Kontraktori privat i sigurisë së aeroportit nuk ka lejuar FNSH të hyjë në aeroport për arsye se porta përkatëse nuk është hapur”, tha Lleshaj.
Gjatë arratisjes së grabitësve pasi morën paratë, mbeti i vrarë Admir Murataj nga shkëmbimi i zjarrit me patrullën e FNSH-së.