Shpallet në kërkim ndërkombëtar ish-efektivi i policisë Mariglen Hoxha që dyshohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se u përfshi në grabitjen spektakolare të 9 prillit në aeroportin e Rinasit.
Prej tri vitesh Hoxha, kishte shërbyer në Komisariatin e Policisë së Rinasit, ndërsa ishte larguar nga detyra me dëshirën e tij në muajin mars të këtij viti pasi nuk pranoi të transferohej në një tjetër rreth.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshon se ish-polici ka pasur rol kyç në grabitjen e 6 milion eurove brenda pistës së aeroportit të Rinasit. Nga hetimet ka rezultuar se Hoxha ka ndihmuar organizatorët e grabitjes me informacione të detajuar si edhe për oraret e mbërritjes së autoblindave të bankave të nivelit të dytë me para drejt aeroportit.
Përveç ish-efektivit Hoxha, janë shpallur në kërkim me urdhër të organit të akuzës edhe 4 persona të tjerë.
Grupi hetimor dyshon se personat organizator për grabitjen e Rinasit janë vëllezërit Klement dhe Eldi Çala si edhe Admir Murataj. 46-vjeçari mbeti i vrarë rreth një kilometër larg Rinasit gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Edhe pse janë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të RENEA-s konkretisht në tre qarqe, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, përsëri policia nuk ka rënë ende në gjurmët e parave të grabitura mesditën e së martës të 9 prillit në Rinas.
E vetmja provë e fortë që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda është dëshmia e të arrestuarit Alkond Bengasi, i cili ka pranuar se ka modifikuar në servisin në pronësi të Eldi Çelës në periferi të Elbasanit, furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen verifikime edhe për 20 zyrtarë të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe TIA-s, lidhur me grabitjen e Rinasit. Burime nga grupi hetimor i kësaj çështjeje thonë se përveç ICTS, edhe zyrtarë të këtyre dy institucioneve mund të kenë kryer shpërdorim detyre.