Kryeministri italian Giuseppe Conte falenderoi sot Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama për ndihmën ndaj Italisë në momentet e vështira që po kalon me pandeminë e COVID-19.
“Faleminderit Shqipërisë”, shkruan Conte në profilin e tij zyrtar në Facebook, teksa ka shpërndarë videon e kryeministrit Edi Rama që përcolli në aeroportin e Rinasit 10 mjekë dhe infermierë që për një muaj do të ndihmojnë Italinë në përballimin e situatës së koronavirusit, me shpërblimet e tyre nga buxheti i shtetit shqiptar.
Në Romë u pritën nga ministri i Jashtëm Luigi di Maio i cili tha ndër të tjera se Shqipëria tregoi vlera europiane. Kryediplomati italian shfrytëzoi këtë rast për të treguar mbështetjen italiane se përse Shqipëria duhet të hyjë sa më parë në Bashkimin Europian dhe për të thumbuar vende të BE-së, ndihma e të cilave ka qenë e vakët.
“Është një tjetër arsye se përse Shqipëria duhet të hyjë sa më parë në Bashkimin Europian. Shpirti i tyre i solidaritetit dhe i ndihmës që po tregojnë me këta persona janë pikërisht ato vlera të përbashkëta që bënë lindjen e Bashkimit Europian. Ndoshta, populli shqiptar po u kujton shumë popujve të BE-së këto vlera në këtë këtë moment vështirësie”, deklaroi ministri i Jashtëm italian.
30 mjekët dhe infermierët shqiptarë u nisën drejt Italisë sipas një marrëveshjeje të nënshkruar mes Di Maios dhe Edi Ramës. Stafi mjekësor do të zhvendoset në Lombardi për të ndihmuar kolegët italianë në përballimin e fluksit të pacientëve të infektuar me koronavirus, ndërsa pagesa e tyre do të kryhet nga shtetit shqiptar, ku 3 mijë euro është paga për mjekët dhe 2500 euro për infermierët.