Një shqiptare është bërë protagoniste e një ngjarje të rëndë të ndodhur në Greqi. Media greke Protothema, e cila ka publikuar dhe foto gjatë arrestimit të saj raporton se Klodiana Çelo ka plagosur me armë zjarri ish-burrin e saj, Jorgo Neos, i cili është okulist i njohur në vend.
Si pasojë e plagëve të marra Neos ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Po ashtu bëhet me dije se Çelo, e cila është artiste, dhe Neos janë prindër të një vajze 13-vjeçare, e cila është duke jetuar me të atin pasi ky i fundit ka fituar kujdestarinë në gjykatë.
Ka qenë pikërisht ky fakt që ka shtyrë artisten shqiptare, që të ndërmerrte aktin e rëndë, pasi ish-burri i saj sipas raportimeve nuk e lejonte që të takonte fëmijën. Ajo kishte humbur kontaktet me fëmijën që në vitin 2016 dhe pse prej kohësh përpiqej që ta takonte.
Çelo pak kohë më parë kishte hedhur akuza kundër ish-burrit të saj dhe gjykatës, duke thënë se po punon kundër saj duke paguar dhe avokatët.
“Jeta ime është ndalur që kur më morën fëmijën”, është shprehur ajo. Po ashtu ajo ka dhënë detaje se mjeku në kohën që ka qenë i lidhur me të ka pasur dhe një grua tjetër.
Artistja ka treguar dhe një tjetër fakt tronditës, pasi sipas saj okulisti Jorgo Neos nuk ka pranuar atësinë e fëmijës në fillim, por gjithçka është vërtetuar pas analizave të ADN-së.
Edhe pse prej vitesh po lufton për të marrë fëmijën dhe ka hedhur akuza kundër ish-burrit të saj, gjykata ka marrë vendime kundër Çelos.