Rastet e reja me koronavirus kanë shpërthyer sërish në Greqi. 24-orëshi i fundit shënoi një tjetër rekord negativ për gjithë periudhën e pandemisë me mbi 6 800 raste të reja, duke thyer rekordin e mëparshëm të gushtit me 5 mijë raste.
Për këto ritme të shpejta të rritjes së infektimeve, qeveria greke ua ve fajin të pavaksinuarve. Ndaj duke nisur nga e shtuna, kush nuk është vaksinuar nuk mund të vazhdojë të punojë pa dëshmuar përmes tamponëve që i paguan nga xhepi, se është negativ ndaj COVID-19.
Kjo masë përfshin punonjësit e sektorit publik dhe privat, duke ndjekur shembullin e Italisë. Në këtë mënyrë, të pavaksinuarit mund të hyjnë edhe në bare, restorante, banka, dyqane dhe parukeri vetëm me një test negativ për COVID-19, duke filluar nga e shtuna.
Të njëjtat masa ka marrë edhe Austria dhe po shqyrtohen edhe nga qeveria gjermane. Nga 6 Nëntori, edhe Holanda ashpërson masat duke rikthyer maskat në ambientet publike, pas rekordeve të reja me mbi 7 mijë infektime ditore.
Masat më të ashpra bllokuese i ka aktualisht Rusia, ku u shënua një rekord i ri ditor me 1 189 vdekje. Kapacitetet spitalore janë drejt ezaurimit total. Sakaq, në Shtetet e Bashkuara, autoriteti i barnave FDA miratoi vaksinat për fëmijët e moshave nga 5 deri 11 vjeç, të cilave do të nisin tu injektohen nga 6 Nëntori.