Kosova Greqia drejt njohjes së pavarësisë? Dendias në Kosovë, Osmani: Të thellojmë raportet

Greqia drejt njohjes së pavarësisë? Dendias në Kosovë, Osmani: Të thellojmë raportet

Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, erdhi për të gjashtën herë në Kosovë, një tregues pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe.

Gjatë vizitës së tij, u takua me president, Vjosa Osmani, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit rajonale, dialogun Prishtinë-Beograd dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja e shtetit, me anë të një njoftim, vlerëson angazhimin e Greqisë dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën për liberalizimin e vizave dhe integrimet euroatlantike.

“Në takim është diskutuar edhe për raportet Kosovë-Greqi, me ç ‘rast Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dyanëshe”, thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë që plani i zbatimit të propozimit evropian të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Ndërkohë, Greqia është një ndër pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por kohëve të fundit ka treguar një qasje të butë, dhe shtetet kanë hapur zyrat respektive të ndërlidhjes.