Menjëherë sapo kryeministri Mitsotakis i ka kërkuar presidentes shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në 21 maj, ka filluar edhe zyrtarisht fushata elektorale e partive greke. Në mënyrë simbolike kreu i qeverisë që synon një katërvjeçar të dytë ka zgjedhur vendlindjen e tij në Hania të Kretës ku iu ka kërkuar votën përkrahësve të tij për të realizuar programin e konservatorëve që sipas tij do ta bëjë Greqinë edhe me të fortë ekonomikisht.
“Asnjë qeveri që nga vendosja e demokracisë nuk është përballur me kaq shumë pengesa. E megjithatë, ne i kapërcyem të gjitha. Kufijtë tanë mbetën të pathyeshëm. Dhe me një program gjigant që kaloi 50 miliardë euro, u mbështetën familjet, bizneset dhe vendet e punës“- tha Mitsotakis.
Ndërsa Aleksis Tsipras, rivali i tij kryesor dhe kreu i partisë më të madhe opozitare Syriza, ka paralajmëruar nga një miting në një lagje periferike të Selanikut se sistemi Mitsotakis në fuqi do të përdorë çdo lloj mjeti për të mbajtur pushtetin, ndaj ka kërkuar fitore të partisës së tij që do të sjellë ndryshimin.
Rreth 430,000 të rinj nga 17 deri në 21 vjeç do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 21 majit dhe vlerësohet se 40% e tyre shprehen të pavendosur se kë parti do votojnë.
Zgjedhjet e majit do të jenë të parat që do të mbahen duke përdorur sistemin e përfaqësimit proporcional. Nëse nevojitet një raund i dytë votimi, ai do të mbahet në fillim të korrikut.