Në Greqi, Kozani, një rajon në afërsi të kufirit me Shqipërinë, është bërë zona e parë që futet në “rrethin e kuq”, duke treguar nivelin më të lartë të rrezikut për transmetimin e virusit dhe është i pari që hyn në izolim gjatë valës së dytë të pandemisë.
Nga sot deri më 29 tetor, një mori kufizimesh do të zbatohen në zonë. Këto përfshijnë përdorimin e detyrueshëm të maskave kudo, ndalimin e tubimeve publike dhe private dhe ndalimin e udhëtimeve jashtë rajonit. Dyqanet, palestrat, gjykatat, restorantet, kinematë, muzetë dhe sitet arkeologjike do të mbyllen.
“Ne jemi në një fazë shumë kritike të pandemisë”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias. “Aktivizimi i alarmit të nivelit 4 për Kozanin është një kambanë alarmi për të gjithë ne, në të gjithë vendin”, tha ai.
Shkak për izolimin e kësaj zone u bë shfaqja e dhjetëra vatrave të infeksionit në rajon.
Vetëm të enjten, 22 infeksione të reja u raportuan në Kozani, me më shumë se 200 raste aktive në zonë.
Organizata Kombëtare për Shëndetin Publik (EODY) njoftoi 453 infeksione të reja, 207 prej tyre në Atikë dhe 13 vdekje të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në të gjithë Greqinë në 23 947 dhe numrin e vdekjeve në 482. Një total prej 82 pacientësh me Covid-19 ishin intubuar.
Viktimat janë kryesisht njerëz të moshës mbi 70 vjeç me sëmundje të tjera si demencë, diabet ose probleme të zemrës ose mushkërive.