Sezoni turistik në Greqi do të fillojë muajin tjetër, kur do të lejohen fluturime ndërkombëtare me charter. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
“Sezoni i turizmit fillon më 15 Qershor, kur hotelet sezonale mund të rihapen”, tha ai.
Vendimi i qeverisë greke erdhi teksa ministrat e Turizmit të vendeve të Bashkimit Europian ranë dakord që të bëjnë gjithçka është e mundur për të rimëkëmbur sa më shpejt turizmin evropian.
Kryeministri Mitsotakis tha se Greqia e menaxhoi më së miri pandeminë e Covid-19, dhe vendi është një “pasaportë besueshmërie dhe shëndetësore”.
Greqia ka regjistruar 166 vdekje dhe 2850 raste infektimi të konfirmuara me koronavirus, duke bërë që të lavdërohej nga komuniteti ndërkombëtar për mënyrën e menaxhimit.
“Ne do ta fitojmë luftën në ekonomi ashtu siç fituam betejën shëndetësore”, u shpreh Mitsotakis.
Turizmi është një nga sektorët më jetikë të ekonomisë së Greqisë. Dhe për të inkurajuar turizmin, Greqia ka ulur përkohësisht TVSH-në në të gjitha sektorët e transportit, nga 24% në 13%.
Në kuadër të masave mbrojtëse ndaj pandemisë, të gjithë turistëve të huaj që do të hyjnë në Greqi do t’u bëhet testi i koronavirusit.