Pas të paktën dy muaj izolimi në Greqi janë rihapur baret restorantet, e po ashtu lejohen edhe udhëtimet në ishuj.
Një rihapje e kujdesshme, në kafene dhe restorante tavolinat janë të ndara për të siguruar distancën sociale ndërsa të gjithë punonjësit mbajnë maska.
Qytetarët grekë janë të lumtur t’i rikthehen jetës së tyre. Ata mund të shijojnë edhe plazhin.
“E kishim humbur këtë rutinë, kjo është terapi psikologjike për ne, prandaj sigurisht që është e rëndësishme, shumë e rëndësishme”, shprehet një qytetare.
“Unë isha në depresion sepse ditë dhe natë qëndroja në shtëpi. Tani ne mund të dalim dhe të pimë një filxhan kafe”, thotë një pensionist.
Kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis shprehet se kryeqyteti po përgatitet për turistët.
“Greqia ia ka dalë shumë mirë gjatë këtyre dy muajve dhe ne jemi shumë optimistë për të ardhmen, për t’u siguruar që ne mund të rihapim ekonominë tonë, dhe të dërgojmë një mesazh në të gjithë botën se Greqia është e hapur dhe e sigurt, është një destinacion ku mund të shijojnë pushimet e tyre, ndërsa në të njëjtën kohë sigurojmë shëndetin e tyre”, thotë kryebashkiaku.
Vendi po përgatitet të hapet për turizmin vendas dhe ndërkombëtar, me hotele dhe kampe që mirëpresin turistët duke nisur nga 1 qershori, ndërsa më 15 qershor do të hapen të gjitha hotelet sezonalë dhe nga 1 korriku do të lejohen fluturimet ndërkombëtare.