Përplasja me Turqinë për paktin detar që Ankaraja nënshkroi me Libinë kanë rihapur debatin mbi ndarjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike mes Greqisë dhe fqinjëve të saj.
Janis Valinakis, njeriu që hartoi strategjinë e marrëveshjes për paktin detar me Shqipërinë thotë në një intervistë për seksionin grek të CNN se Athina toleroi Tiranën zyrtare të anulonte marrëveshjen e firmosur të vitit 2009.
“Mungesa e interesit nga ana jonë për përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike pas vitit 2009 mbetet e pashpjegueshme. Në mënyrë të gabuar u vu theksi te shpallja dhe jo te përcaktimi i tyre.
Ne kemi lejuar që Shqipëria, një vend që kërkon mbështetjen tonë për t’iu afruar drejt BE-së, të anulojë me procedura të brendshëm marrëveshjen e shkëlqyer për zonat tona detare të nënshkruar nga Karamanlis dhe Berisha në 2009.
Shumë kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre viteve , por siç ndodh shpesh, kemi mbetur në teori”, tha ai.
Valinakis thotë se përgatitjet për mbylljen e marrëveshjeve të zonave ekskluzive ekonomike me vende si Shqipëria dhe Libia kanë nisur që prej vitit 2004: “Për Zonat Ekskluzive Ekonomike të Greqisë kam punuar me një plan që kisha hartuar tashmë përpara se të merrja përsipër detyrën e zv. ministrit të Jashtëm në qeverinë Karamanlis.
Qëllimi im ishte të nënshkruaja Zonat Ekskluzive Ekonomike dhe marrëveshjet tona të demarkacionit të zonave detare me të gjithë fqinjët tanë, duke lënë mënjanë Turqinë që nuk tregoi asnjë shenjë të një bashkëpunimi të tillë.
Zhvillimet e brendshme sigurisht që kanë luajtur një rol në Libi, si dhe këtu në ne. Por Turqia për fat të keq ka punuar në mënyrë metodike dhe përmbysi zhvillimet në favor të saj”.
Bisedimet për paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë aktualisht janë të ngrira. Së fundmi Athina ka bërë lëvizje që synojnë të firmosjen edhe një marrëveshje me Italinë, si dhe anulimin e paktit mes Turqisë dhe Libisë.