Kosova Ambasadorët: Nuk do ndërmjetësojmë në formimin e qeverisë së Kosovës

Ambasadorët: Nuk do ndërmjetësojmë në formimin e qeverisë së Kosovës

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës e Italisë, thanë të martën përmes një deklarate se nuk mbështesin asnjë kandidat ose parti politike në Kosovë në procesin e formimit të qeverisë së re.

Ata iu referuan një deklarate të përbashkët të bërë më 30 gusht të vitit të kaluar në të cilën thuhet se “ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”.

“Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e shpërndarë të martën.

Kjo pason njoftimin e një dite më parë të bërë nga lëvizja Vetëvendosje e cila paralajmëroi për sot një takim të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës në prani të diplomatëve perëndimorë.

Të hënën udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i dhanë fund pa marrëveshje një takimi në kuadër të përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje përkujton në shkrim se “kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Më 20 janar kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti mori mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për formimin e qeverisë dhe nga ajo ditë ka filluar afati prej 15 ditësh për një gjë të tillë.

Të dyja partitë politike po negociojnë me muaj, por pa ndonjë rezultat deri më tani. Ato vazhdojnë të jenë të ndara rreth postit të kryetarit të parlamentit të Kosovës, i cili tashmë mbahet nga lëvizja Vetëvendosje.

Nëse brenda tetë ditësh sa kanë mbetur deri në fund të afatit, nuk sigurohet një marrëveshje, atëherë presidenti i Kosovës i ofron kandidatit tjetër mundësinë që brenda dhjetë ditësh të formojë kabinetin dhe nëse as atëherë nuk ndodh, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.