Greqia ka vendosur që vaksina kundër COVID-19 të jetë e detyrueshme për dy kategori të popullatës, punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit në shtëpitë e të moshuarve.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi katër masa për pandeminë, duke theksuar se punonjësit në shtëpitë e të moshuarve nëse nuk do të pranojnë të injektojnë vaksinën anti-covid, do të pezullohen, ndërsa për stafin e shëndetësisë sanksionet do të publikohen në ditët në vijim.
Vaksinimi i menjëhershëm i punonjësve në shtëpitë e të moshuarve të bëhet i detyrueshëm, për shkak të rritjes së infektimeve dhe frikës nga varianti “Delta”.
Ndërsa vaksinimi i detyrueshëm për profesionistët në shëndetësi, si në sektorin publik dhe privat do të nisë që prej 1 Shtatorit.
Po ashtu qeveria greke ka dispozitë të veçantë për Forcat e Armatosura, personat e përhershëm dhe të rekrutuarit do të kenë mundësinë, por edhe stimuj të vaksinohen në njësitë e tyre.
Një masë tjetër shtrënguese në Greqi është se prej kësaj të premteje deri në fund të gushtit, të gjitha ambientet e mbyllura, klubet e natës, baret, restorantet dhe kinematë do të jenë të hapura vetëm për të vaksinuarit.