Greqia ka marrë një vendim të enjten që të zgjasë shërbimin ushtarak me 3 muaj. Kjo gjë u shpall nga ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos dhe i është prezantuar kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Prandaj që nga Maji i këtij viti, shërbimi në ushtrinë greke do të rritet nga 9 muaj në 12 muaj. Kjo periudhë 1-vjeçare ekziston për ata që shërbejnë në Marinë dhe Forcën Ajrore.
Vendimi do të prekë edhe kategori të tjera të ushtrisë greke. Ata që shërbejnë me kohë të pjesshme do të shërbejnë me 2 muaj më shumë, pra nga 6 deri në 8 muaj. Ushtarët rezervistë do të shërbejnë gjithashtu me 3 muaj shtesë (nga 14 deri në 17 muaj).
Gjithashtu ministri grek ka biseduar me homologun e tij francez, Florence Parley, i cili do të vizitojë Athinën të hënën e ardhshme. Mes dy vendeve do të nënshkruhet një kontratë për marrjen e 18 avionëve luftarakë Rafale. Po ashtu, ministri francez ka propozuar që Greqia të blejë 4 frigata dhe një anije.
Ky vendim i Greqisë vjen pas tensioneve me Turqinë në lidhje me ujërat territorialë në Mesdheun Lindor. Dy palët kanë vendosur që të nisin bisedimet teknike, ndërkohë që Athina ka dërguar një mesazh në lidhje me qëllimin e vërtetë të kontakteve që priten të vendosen të hënën.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Alexandros Papaioannou, tha se, “nuk bëhet fjalë për negociata, por për kontakte. Mes palëve nuk janë ndërmarrë angazhime apo detyrime. Asnjë palë e tretë nuk është përfshirë. Nuk ka përditësime për përmbajtjen e kontakteve kërkimore”.
Sipas zëdhënësit ekziston mundësia që nëse mes palëve nuk ka marrëveshje të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Mitsotakis: Së shpejti firmosim paktin me Ramën
Greqia dhe Shqipëria do nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për dërgimin e çështjes së ndarjes së detit Jon në Hagë. Lajmi i bë i ditur nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis pak para miratimit të projektligjit për zgjerimin e Greqisë në Detin Jon me 12 milje detare.
“Për herë të parë Greqia rritet me më shumë se 10% jo me pushtim, apo në dëm të shteteve të tjera, por në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar kryeministri Mitsotakis, duke iu referuar deklaratës se kryeministrit Edi Rama se ishte e drejta legjitime e Athinës ta kryente këtë proces, ashtu siç e ka kryer edhe Shqipëria para 30 vitesh.
Sipas kreut të qeverisë greke, pakti për ta zgjidhur përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare do të nënshkruhet së shpejti nga dy kryeministrat dhe ministrat e jashtëm.
“Në këtë periudhe të vështirë ministri ynë i Jashtëm bashkëpunoi me kryeministrin shqiptar dhe tashmë çdo mos dakordësi e përbashkët me Tiranën shkon drejt organizmave gjyqësore ndërkombëtare. Jo shumë kohë me parë, kryeministri shqiptar deklaroi qartë dhe pa mëdyshje se zgjerimi me 12 milje përbën një të drejtë të pamohueshme të Greqisë duke shtuar edhe një argument tjetër në favorin tonë se ujerat e Mesdheut mund të bashkojnë dhe jo të ndajnë popujt”, tha Mitsotakis.
Votimi nga shumica e deputeteve që e kanë quajtur këtë ditë historike, ka ardhur si rezultat i një sërë lëvizjesh të rëndësishme diplomatike dhe strategjike që ka bërë Greqia, ka thënë Mitsotakis, duke iu referuar marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin për ZEE, por edhe bisedimeve të shpeshta me kryeministrin Rama dhe rënien dakord që të apelohet në Hagë për ZEE midis Shqipërisë dhe Greqisë.