Teksa punonjësit e stacionit të pompimit të ujësjellësit dhe elektrik në Poçem, sot janë në ditën e katërt të grevës së urisë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i ka drejtuar një letër institucioneve shtetërore që të reagojnë për rastin në fjalë.
Letra e Kryemadhit u është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, dhe në veçanti kryeprokurorit Olsian Çela, ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Ballukut, kreut të KLSH Bujar Leskajt dhe Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca.
Në këtë letër Kryemadhi informon institucionet shtetërore për 16 grevistët duke thënë se ata kanë 27 paga të prapambetura, ndërsa këtë ajo e quan shkelje e të drejtave të njeriut nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës. Kryemadhi kërkon që Ministria e Energjisë të marrë masat për dhënien e pagave të prapambetura si edhe zbardhjen e veprimeve dhe mosveprimeve të agjencive të shtetit.
”Agjencitë shtetërore dhe përkatësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka përgjegjësinë e monitorimit dhe ndjekjes së zbatimit të kontratës mes subjektit privat që administron stacionin dhe punonjësve ka qenë tërësisht jashtë funksionit dhe ka qenë në vetëdije të plotë për shkeljen për një kohë të gjatë të të drejtave bazë të punonjësve”, shkruhet në letër ndër të tjera.
Sipas saj, përshkallëzimi i kësaj situate do të sjellë pasoja të rënda jo vetëm për shëndetin e grevistëve, por edhe të banorëve të Ballshit dhe rrethinave për shkak të mos funksionimit të ujësjellësit.
“Kërkoj që agjencitë shtetërore të marrin masa të menjëhershme, me të gjitha mekanizmat që ligji mundëson për të kryer pagesat e të gjitha pagave të prapambetura për punonjësit e stacionit të pompimit në Poçem, pasi përveç të tjerash kjo situatë ka krijuar edhe një tensionim shumë të rëndë social për familjet e tyre të varfra, të cilat kanë mbetur pa të ardhur dhe po vuajnë një varfëri ekstreme. Kërkoj nga ju, verifikimin dhe zbardhjen e të gjitha veprimeve dhe mos veprimeve të agjencive shtetërore, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përgjegjësit e këtyre veprimeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore”, mbyll letrën Kryemadhi.