Te Rangers Eros Grezda ndihet si në qiellin e shtatë. Sulmuesi anësor i kombëtares shqiptare u transferua në merkaton e verës te gjigandët skocezë nga kroatët e Osijek dhe pas një fillimi jo të mirë ka gjetur vetveten në Skoci.
Prej asaj kohe, Grezda ka luajtur 667 minuta, në të gjitha garat ku merr pjesë skuadra e tij, duke shënuar edhe 2 gola më 11 nëntor, në fitoren e thellë 7-1 kundër 7-1 Motherwell. Faqja e klubit po interviston këtë fundviti lojtarët e vet dhe radha i ka mbërritur edhe Grezdës.
Në mënyrë të përmbledhur e të shkurtër ai iu është përgjigjur pyetjeve, duke nënvizuar: “Jam vërtet shumë i lumtur dhe i kënaqur që jam pjesë e Rangers-it. Mua më pëlqen gjithçka që është këtu, duke nisur nga klubi, stafi teknik, lojtarët, tifozët dhe qyteti. Ushqimi dhe restorantet janë një pjesë tjetër, që dua ta veçoj dhe më pëlqejnë këtu. E vetmja gjë që nuk është e mirë për mua, janë kushtet atmosferike. Megjithatë, kam filluar të mësohem edhe me to”.
23-vjeçari kuqezi është i dëmtuar dhe nuk mund të luajë për një javë, ndaj do të mungojë në ndeshjen e sotme, Rangers-Hibernian.