Analistët ekonomikë në Slloveni dhe Kroaci mendojnë se afera e fundit për Merkatorin nuk do të cënojë raportet mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Por tendosjet janë evidente.
Tendosjet e fundit në marrëdhëniet Slloveni-Kroaci kanë prishur atmosferën e festave të fundvitit mes këtyre dy shteteve. Por raportet nuk janë tendosur si në kohën e mosmarrëveshjeve rreth linjës kufitare mes tyre, ndonëse edhe tani kemi të bëjmë më një problem shumë kompleks ekonomik. Bëhet fjalë për Merkatorin – sipërmarrjen më të madhe tregtare sllovene, të cilën para pesë vitesh e ka blerë koncerni kroat Agrokor. Agrokori ndërkohë ka falimentuar, ndërsa pronësinë mbi të e kanë tani aksionarët më të mëdhenj – banka ruse dhe një fond amerikan.
Agjencia sllovene shtetërore për mbrojtje nga konkurrenca ka kërkuar nga mesi i dhjetorit që të merren aksionet e Merkatorit, në vlerë prej rreth 140 milionë euro. Këto aksione do të duhej t’i kalonin sipërmarrjes së themeluar së fundmi Fortenova. Por gjendja është komplikuar.
Lojërat ekonomike dhe politike
Merkatori është pjesa më potente e Agrokorit, me rreth 40 % të të ardhurave. Ndaj lënda ka shkuar në gjykatë, ku do të shihet se cili ishte në fakt motivi i shtetit slloven për të blerë aksionet e Merkatorit dhe cilat janë pasojat për raportet mes Lubjanës dhe Zagrebit. “Nuk mund të them, se cili është qëllimi i autoriteteve sllovene dhe cili do të jetë vendimi i gjykatës. Por personalisht mendoj se gjërat do të sqarohen. Sllovenia ndoshta ka për qëllim vetëm ruajtjen e interesave të veta”, thotë ekonomisti kroat, Guste Santini.
Nëse ky ka qenë qëllimi, atëherë ekonomisti ka mirëkuptim për kërkesat e politikanëve dhe ekonomistëve të Sllovenisë. Shikoni se çfarë po bën, apo nuk po bën, Kroacia. Gjërat duhet të vendosen në gjykatë, por është e qartë se ato do të influencojnë edhe zhvillimet politike. Ekonomistët kroatë mendojnë se autoritetet kroate “kanë lënë pas dore interesat ekonomike të Kroacisë”.
Kroacia nuk po i mbron sa duhet interesat e veta
Santini mendon se autoritetet kroate kanë bërë gabime në rastin e Agrokorit. “Gjërat janë shikuar vetëm në bazë të pronësisë dhe jo të interesave të vendit. Me Agrokorin janë bërë gabime të ngjashme, sikur me rastin e shitjes në duart e ndërkombëtarëve të bankave, të cilat janë stabilizuar më parë me paratë e taksapaguesve kroatë. Ndërkohë që është dëmtuar edhe prodhimtaria në vend, ndërsa sllovenët kanë shënuar sufiçit në shkëmbimin e mallrave.”
Santini nënvizon se në Kroaci nuk ekziston një qëndrim unik për të ardhmen e Agrokorit. Ai mendon se mosmarrëveshjet e fundit rreth Merkatorit do të komplikojnë edhe raportet mes Kroacisë dhe Sllovenisë.
Ndërsa ekonomisti slloven Jozhe Mencinger, ish-ministër i ekonomisë dhe nënkryetar i qeverisë sllovene thotë: „Merkatori po shet gjithnjë e më pak mallra sllovene. Unë nuk jam nacionalist, por interesat lokale duhet të mbrohen. Duhet të kemi prioritete”, thotë Mencinger për Deutsche Wellen. “Do të shohim se në duart e kujt do të përfundojë Merkatori. Por me rëndësi është profilimi i autoriteteve sllovene. Ndërsa për raportet mes Sllovenisë dhe Kroacisë nuk kam frikë fare. Nuk do të ketë pasoja të rënda”, mendon ai. Vendimi i gjykatave pritet pas festave të fundvitit.
Igor Lasić/DW