E ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino iu përgjigj pyetjes nëse koronavirusi ka hyrë në Shqipëri që në janar apo shkurt, atëherë kur edhe ka pasur shumë të sëmurë në vend që thonë se kishin të njëjtat simptoma apo shenja.
Bino nuk lë vend për aludime dhe sqaron se në atë periudhë ka qarkulluar gripi i zakonshëm.
“Në janar-shkurt kurba e përhapjes së gripit ka qenë e pritur, nuk ka pasur dyndje. Ne kemi bërë analiza dhe nuk ka pasur lidhje fare me koronavirusin. Ne nuk kemi asgjë të pazakontë për momentin, ne po mundohemi që ta kemi kurbën e prekjeve nga Covid 19 më të zbutur. Të mos e kemi si Italia e si Spanja”,- tha ajo.
Bino sqaroi ndër të tjera se, “Ne po masim atë që quhet intervali serial, pra koha e fillimit të sëmundjes së një rasti drejt fillimit të shenjave me një kontakt të këtij rasti, sa më shuëm të largohet kjo ne kemi më pak të sëmurë. Transmetureshmeria apo intervali serial janë disa elemente që po i masim. Deri tani kemi disa të dhëna dhe duket sikur intervali i transmetueshmërisë është ulur. Ne duam të gjurmojmë sa më shumë persona të dyshuar apo të mundshëm, këtu qëndron e gjithë puna jonë në terren”, tha ajo.
“Pse nuk kemi rritje të menjëhershme të të infektuarve”
Bino u shpreh se situata në vendin tonë nuk është shqetësuese, pasi nuk kemi një rritje të menjëhershme të të infektuarve dhe viktimave, dhe kjo sipas saj, falë masave të marra nga qeveria.
“Ne kemi pak a shumë, pavarësisht që kemi raste, por kemi një luhatje të ngadaltë, pra nuk kemi një rritje të menjëhershme. Kjo ka ardhur si pasojë e masave të marra.
Kemi një rritje të numrit të të shëruarve dhe të atyre që mjekohen në spital dhe nuk kanë nevojë për t’u shtruar në spital. Qëllimi ynë është që të kemi sa më shumë qytetarë jashtë spitalit”, tha Bino.
Pjesë nga intervista:
Grafiku ka një ngjashmëri me Italinë…
Grafiku i rëndësishëm është ai që ne bëjmë, që vëmë njëra mbi tjetrën kohën e fillimit të shenjave të sëmundjes dhe të testimit.
Në Itali po rritet numri i të shëruarve, por vazhdon i lartë numri i vdekjeve. Edhe ne kemi vdekje, në mos çdo ditë, në dy ditë… Italia ama ka hyrë në fazën e mbarimit të krizës, ndërsa këtu te ne ju thoni që kriza duhet mbajtur nën kontroll edhe për të paktën dy javë…
Që në janar, edhe në shkurt ne kemi kryer testime.
Ju po thoni që keni kontrolluar që në janar, ndërkohë që kriza në janar ka qenë vetëm në Kinë…
Po natyrisht ne kemi marrë udhëzim nga OBSH, që në fund të dhjetorit. Pastaj, në janar bota u sensibilizua, dhe nga fundi i muajit ne kemi testuar raste, që kanë pasur histori udhëtimi në vendet e prekura. Testimet me tampon i kemi filluar që në fund të janarit.
Kemi qenë bashkë në studio dhe ju nuk më keni thënë që keni bërë testime…
Patjetër që kam thënë. Kanë qenë studentët e kthyer, kemi pasur një rast edhe që u shtrua në spital, dhe që rezultoi grip në atë kohë.