Një grua hebreje ka treguar historinë e jashtëzakonshme se si ka jetuar ngjitur me Adolf Hitler në Mynihun e viteve 1920-30.
Alice Frank Stock, sot 101 vjeç, ka kaluar disa vite duke jetuar në të njëjtin bllok apartamentesh me diktatorin nazist. Familja e saj jetonte në “Prinzregentplatz” të Mynih, vetëm disa dyer larg një prej figurave më famëkeqe në historinë e globit, i cili ishte transferuar aty në vitin 1929, 4 vite para se Partia Naziste të merrte pushtetit.
Zonja Stock thotë se ndonjëherë shihte se si Hitleri futej me nxitim në shtëpi, i rrethuar nga roje, nga frika e ndonjë atentati. Asokohe kishte edhe thashetheme për jetën e tij të natës dhe misterin rreth Geli Raubal, me të cilën mendohej se Hitleri kishte një marrëdhënie intime. Ajo gjithashtu tha se kishte parë dikur një arkivol të dilte nga shtëpia e tij dhe kishte menduar se ishte trupi i saj. Por ajo tha gjithashtu se Hitlerin e shihnin shumë rrallë.
Pasi familja e saj u detyrua të largohej nga Gjermania pak para nisjes së Luftës II Botërore, u transferua në Angli, ku edhe jeton sot, në Bristol, në një shtëpi kujdesi për të moshuarit.
“Jetonim në një shtëpi të madhe”, tregon ajo. “Ne jetonim në apartamentin me numër 14, ndërsa Hitleri tek apartamenti tjetër, numri 13, ose 15. Dëgjonim shumë thashetheme, pamë edhe një arkivol të dilte prej aty. Një mbesë e tij jetonte aty me të, por asnjëherë nuk u konfirmua që ishte ajo. Për këtë nuk fliste njeri”.
Në fakt, Raubal vrau veten në apartamentin e Hitlerit në Mynih në vitin 1931, kur ishte vetëm 23 vjeç, por nuk ka ende edhe sot prova të përfshirjes së diktatorit në këtë ngjarje. Marrëdhënie e Hitlerit me Gelin, e cila ishte vajza e motrës së tij, ishte temë debati edhe brenda Partisë Naziste.
“Unë kurrë nuk kam folur me të. Një herë shkova në opera, pasi kisha siguruar bileta për në llozhën mbretërore, por një roje më tha se nuk mund të futesha aty. Më vonë, pashë që aty po qëndronte ai”, kujton Stock. “E kam parë shumë rrallë, nuk të linin rojet”.
Stock u lind në Augsburg, para se të transferohej në Mynih në vitin 1918 kur ishte vetëm 3 vjeçe. Për shkak të rritjes së ndjenjave kundër hebrenjve ajo u largua fillimisht për në Zvicër kur ishte 17 vjeç, e më pas në Angli, ku familja e saj u detyrua të shiste një violinë 200-vjeçare, me vlerë mbi 1000 stërlina, për t’u futur në ishull. Më vonë ajo punoi për BBC dhe Organizëtën për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD).
Apartamenti i Hitlerit në “Prinzregentplatz” konsiderohet si vendlindja e Partisë Naziste. Ai jetoi aty deri në vitin 1933, kur u largua për t’u bërë Kancelar i Gjermanisë. Godina është ende në këmbë edhe sot duke shërbyer për qëllime të ndryshme përgjatë viteve.