Një gruaje në Gjermani i erdhi kaq shumë në majë të hundës nga bashkëshorti i saj sa e nxori në shitje në eBay, me një çmim modest prej vetëm 18 eurosh.
Arsyeja kryesore, sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Sun”, ishte këndvështrimi i tij negativ për gjërat.
40-vjeçarja nga Hamburgu, e njohur me emrin Dorte L., tha se kishte 7 vjet e martuar me burrin e saj, por tashmë ata nuk e kishin më vendin krah njëri-tjetrit.
Në ofertën e saj, ajo shkruajti: “Të dashura gra që mund të jeni të interesuara. Përgjatë dy ditëve të para të Krishtlindjes kam kuptuar se nuk e kemi më vendin krah njëri-tjetrit. Dëshiroj t’ia jap të tjerëve bashkëshortin tim. Jam mëse e lumtur për të negociuar çmimin, por nuk pranoj shkëmbime. Ju lutem dërgojini ofertat tuaja me email”.
Oferta titullohej “bashkëshort, i përdorur” dhe ilustrohej me pemën e Krishtlindjes së çiftit. Ajo e vendosi çmimin prej 18 Eurosh, pasi ky ishte numri i saj i preferuar. Duke folur për mediat vendase, 40-vjeçarja tha se reklama e saj ishte mirëpritur.
“Mora reagime shumë pozitive, madje dikush më nisi shumë smiley-s. Gjithçka kishte si qëllim të përcillte vetëm argëtim”.
Bashkëshorti i saj sigurisht nuk ishte në dijeni se çfarë kishte bërë gruaja, derisa e gjithë ndodhia u postua nga një gazetë lokale.