Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski i ka ofruar liderit të LSDM-së, Zoran Zaev mbështetjen e plotë për t’u bërë kryeministër me kusht që të heq dorë nga koalicioni me partitë shqiptare, me të cilat ka arritur marrëveshje për miratimin e një ligji për gjuhën shqipe.
Madje, Gruevski ka thënë se është i gatshëm të pranojë edhe të arrestohet vetëm të mos rrënohen siç ka thënë “themelet e shtetit maqedon”. “Le të më arrestojnë, të më burgosin, le të më keqtrajtojnë, vetëm të mos rrënojnë shtetit dhe themelet e tij”, thuhet në ofertën publike të Nikolla Gruevskit të prezantuar në llogarinë e tij në rrjetin Facebook.
Gruevski ka shkruar se VMRO DPMNE është e gatshme të mbështes një qeveri të pakicës që do të drejtohej nga LSDM-ja por me kusht që të heq dorë nga mbështetja për platformën shqiptare, të cilët e quan si “shkatërruese për Maqedoninë”.
Draft-ligji për gjuhët parasheh përdorim të gjerë të shqipes në Kuvend, qeveri, pushtetit gjyqësor, jurisprudencë, në dokumentet personale, organet e sigurisë, përfshirë edhe komunat ku nuk ka popullatë shqiptare, por në rastet kur shqiptarët u drejtohen atyre për marrjen e shërbimeve personale. Kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski ka thënë se kërkesa e shqiptarëve për zyrtarizmin e shqipes nuk do të ndalet me kaq, por se ata sipas tij “do të vazhdojnë me shantazhet deri në federalizimin e vendit”.
Në një paraqitje në një media të afërt me partinë e tij Gruevski ka thënë se VMRO DPMNE-ja nuk do të rrijë “duarkryq”, por me të gjitha forcat do të mbrojë sovranitetin dhe karakterin unitar të Maqedonisë. Ai ka thënë se ka shumë opsione për parandalimin e Zaevit ndërsa duket shtuar se “në fund do të jetë populli ai që do të mbrojë shtetin”.