Një grup pune ndërinstitucional do të ngrihet për përgatitjen e platformës së programeve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar, të dedikuara për Diasporën.
Në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave në 14 nëntor 2019, “Për prodhimin, transmetimin dhe financimin e emisioneve të posaçme televizive, arsimore dhe kulturore, të dedikuara për diasporën”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Kryeministri Edi Rama ngriti grupin ndërinstitucional të punës, ku do të ketë përfaqësues nga ministri i Shtetit për Diasporën, ministritë e Kulturës, Arsimit, Turizmit, dhe Punëve të Jashtme.
Gjithashtu në përbërje të këtij grupi pune ftohen të marrin pjesë edhe zëvendësministri përgjegjës për turizmin, drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, përfaqësues i Akademisë së Shkencave, titullari i Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe përfaqësues i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Përmbajtja e programeve të emisionit të posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe do t’u kushtohet interesave të arsimimit për komunitetet shqiptare jashtë vendit, sipas kurrikulës së përbashkët të realizuar për këtë qëllim, në bazë të marrëveshjes me qeverinë e Republikës së Kosovës.