Belgjika në bashkëpunim me Gjermaninë goditën një grup të trafikut të kokainës duke arrestuar 8 persona, mes të cilëve 6 janë shqiptarë, ndërsa dy prej tyre janë nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja, Ramazan Rraja dhe i afërmi i tij, Fioralb Rraja nga Nikla e Fushës Krujës. Por kush është bosi i rrjetit ndërkombëtar të drogës?
Gazetari Artan Hoxha në një intervistë në “ABC” me gazetaren Jonida Shehu u shpreh se gjykata ka vendosur masën e sigurisë 30 ditë burg për Ramazan Rrajën në Belgjikë. Ai tha se Rraja lëvizte me letra polake në vendet e BE-së, ndërsa vetëm 10 ditë më parë ishte larguar nga Shqipëria.
Ramazan Rraja u kap në shtëpinë e një të afërmi ku iu gjetën një shumë parash. Ai takoi Musa Gjikolën, i cili ishte në monitorim nga policia belge, ndërsa të dy përfunduan pas hekurave. Në takim ka qenë edhe një rus.
Intervista e Artan Hoxhës
A ishin të pritshëm emrat që u arrestuan, kush janë në të vërtetë dhe lidhja me deputetin?
Në fakt ajo që më shqetëson është përhapja e fenomenit të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në drejtim të tregut të BE-së dhe ky është një rast që provon atë që kemi thënë, që grupet e trafikantëve shqiptarë po synojnë lart dhe duan të marrin pjesën e vet nga sasia e madhe e kokainës që vjen në tregun e BE-së. Në lidhje me emrat dhe operacionin, pavarësisht se deklarata e policisë është bërë sot operacioni është zhvilluar në 15 dhjetor. Policia belge dhe gjermane të përfshira në këtë operacion, arrestimet janë bërë në këto dy vende të martën e kaluar në 04:00-05:00 mëngjesit.
Nga informacioni që kam unë, duke komunikuar edhe me kolegë në Belgjikë, ajo që bie në sy është fakti që operacioni është vazhdë e një hetimi që ka nisur në 2017, në 2018 u kapën 1.8 ton kokainë dhe gjatë asaj kohe mesa kujtoj, shqiptarët ranë në sy, u kapën 1.2 tonë kokainë. Por ishte i çuditshëm fakti që linja e trafikut nuk u zbulua nga policia, por marketet që furnizoheshin bananet. Rastësisht në këto markete në Hanover të Gjermanisë, në 8 markete u gjetën arka me banane dhe 200 kg kokainë. E gjithë kokaina e kapur, 1.8 ton kapte një çmim prej 400 mln euro. Mesa duket ky hetim ka vazhduar dhe kemi rastin e fundit, ku janë përfshirë emrat që kanë dalë, janë shoqëruar edhe persona të tjerë. Në Belgjikë kanë dalë për masat e sigurisë.
A janë këta emra kupola e trafikut?
Ka disa elementë që duhen sqaruar, që lëvizja e kësaj sasie të madhe kokaine dëshmon se kemi të bëjmë me një organizatë të fuqishme. Mes emrave që shoh, për pjesën e Shqipërisë emri i njohur është i Ramazan Rrajës por spekulimin për lidhje politike duhet t’ia lëmë hetimi. Nga informacioni që kam marrë, Ramzan Rraja para 10 ditësh është larguar nga Shqipëria, ai lëviz me letra polake. Ai është kapur në të gdhirë në 05:00 të mëngjesit në banesën e një të afërmi të vet në Bruksel. Pra është kapur në banesën e një kushëriri të vet, nuk janë gjetur armë, apo sende të tjera, por një sasi parash.
Personi në fjalë ka dokumente polake dhe ka lëvizur në vende të tjera. Ai ka ardhur në Bruksel për të bërë një takim me Musa Gjikolën, i cili dyshohet se po mbahej në vëzhgim të rreptë, takimi është kryer në praninë e një rusi. Takimi nuk është saktësuar, nëse ka qenë një i vetëm, apo ka pasur edhe të tjerë në apartamente apo banesa, ku mund të kenë rakorduar. Veprimet ndaj Rrajës kanë ardhur pas takimit me Musa Gjikolën dhe një rusi. Rasti Rraja, në masën e sigurisë, prokurori ka kërkuar për Ramazan Rrajën një muaj arrest me burg.
Nuk ka prova të forta?
Nuk them nëse ka apo jo. Por është fakt që kërkesa belge referuar kërkesës së prokurorit ka dhënë 30 ditë masë sigurisë, deri kur të paraqesë prokurori prova shtesë. Hetimi do ta nxjerrë kush është drejtësi, kupola. Ajo që bie në sy, është fakti që grupi ka synuar portet e mëdha, ku është jashtëzakonisht e vështirë të skanosh çdo kontenier.