Aktualitet “Grupi shqiptar do shkëmbente kanabisin me drogë tjetër”, policia jep detajet për...

“Grupi shqiptar do shkëmbente kanabisin me drogë tjetër”, policia jep detajet për operacionin ndërkombëtar antidrogë “Flakë deti”

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga ka dhënë detaje më shumë për operacionin ndërkombëtar të antidrogës në kuadër të cilit u bllokuan 4 gomone më 15 gusht.

Bizhga theksoi se droga e kapur në vendin ku trafikantët dogjën velierën kishte destinacion ndërkombëtar.

6 persona janë vënë (shqiptarë e të huaj) në pranga dhe janë sekuestruar: 28 kg kanabis, 2 armë, 200 fishekë luftarakë, një “Audi”, 45 mijë euro, 250 mijë lekë, 2 mijë lira turke, 500 paund dhe 25 celularë.

“Do ju informojmë mbi një operacion i koduar “Flakë deti”, për të goditur një grup të strukturuar kriminal. Operacioni ka nisur 14 Gusht në orën 22 deri më 15 Gusht. Në momentin që u rrethuan nga mjetet lundruese të Guarda di Financa trafikantët i kanë vënë flakën gjërave të paligjshme. Deri në orën 16:00 janë kërkuar provat materiale, janë arrestuar 6 shtetas të huaj dhe shqiptarë.”

Ai theksoi po ashtu se te veliera e djegur janë gjetur 28 kg kanabis dhe se grupi shqiptar do shkëmbente kanabisin me drogë tjetër me 2 ukrainas. Kujtojmë se ky megaoperacion po zhvillohet nga policia shqiptare në bashkëpunim me “Guardia di Finanza”.

4 gomonet e bllokuara tanimë nga autoritetet mësohet se janë nisur rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme nga Patoku. Veliera ishte me flamur ukrainas nisur nga Mali i Zi. Droga do shkëmbehej në Adriatik, 18 milje nga laguna e Patokut. Hetimi po drejtohet nga prokurori i SPAK Vladimir Mara.

Nga 6 të arrestuarit, 4 janë shqiptarë dhe 2 ukrainas. Mes të arrestuarve është edhe Arlind Ismailuka, ish- shef policie. Baza e grupit kriminal ishte në Fushë-Kuqe të Kurbinit.