Ngjitja e Gazmend Bardhit në krye të grupit parlamentar të Partisë Demokratike shihet nga deputetë brenda këtij grupimi si një mundësi shumë e mirë për bashkimin e demokratëve në të dy krahët.
Në të parën mbledhje pas votëbesimit që i dhanë, disa prej deputetëve thanë se do t’i kërkojnë Bardhit që të ndërmarrë një iniciativë për bashkim me Sali Berishën.
“Ne presim që të bashkojmë PD-në. Është turp që ne nuk mblidhemi bashkë. I bëj thirrje Bardhit që të marrë iniciativë për bashkim”, tha Sajmir Korreshi.
Ndërsa Dashnor Sula deklaroi se është krenar që ka mbështetur Lucciano Boccin në Elbasan: “Jam krenar që kam mbështetur kandidatin e primareve në Elbasan. Kemi një përgjegjësi nga i pari tek i fundit. Përçarja është fatale për opozitën”.
Enkelejd Alibeaj, që në këto zgjedhje nuk arriti të marrë asnjë bashki nuk përjashton rikthimin në krye të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, i cili e komandoi deri në një rikthim të tijin në skenën aktive politike.
Por tentativa e Lulzim Bashës për të marrë drejtimin e partisë pas largimit të Enkelejd Alibeajt, që mori me vete kostot e disfatës së madhe elektorale, refuzohet nga deputetët e grupit parlamentar të drejtuar nga Gazmend Bardhi.
“Qëndrimi im ka qenë i prerë. Nuk duhet të ketë rikthim në drejtimin e PD-së. Nëse duam që ta lëmë konfliktin e hapur kjo do të ishte një zgjedhje gabim”, tha Sula.
“Unë mendoj se ka marrë koston elektorale”, tha Korreshi.
Pas largimit të Alibeajt, Gazmend Bardhi i kërkoi Jorida Tabakut të marrë drejtimin e partisë, si nënkryetare e vetme, siç parashikon statuti.
Vetë Tabaku tha pas mbledhjes se është e nevojshme të mos përsëriten gabimet e së shkuarës dhe se çdo gjë duhet të bëhet në konsultim me deputetët dhe anëtarësinë.