Sport Guardiola: Nëse Messi do të vraponte tani aq sa bënte me mua...

Guardiola: Nëse Messi do të vraponte tani aq sa bënte me mua do të dëmtohej çdo 3 muaj

Pep Guardiola kujtoi me përzemërsi dhe nostalgji fazën e tij historike si trajner i Barcelonës (2008-2012), në një intervistë për “La TDT” të “Ràdio Catalunya”. Në analizën e tij për ato katër sezone lavdie në stolin e katalanasve, Pep kujtoi “brezin unik të futbollistëve”, por nuk harroi të ardhmen e afërt, e cila mund të jetë mjaft pozitive përmes njërit prej atyre lojtarëve mitikë: Xavi Hernández.

“Herët a vonë do të ndodhë që Xavi të stërvisë Barçën. Këto janë edhe gjëra të fatit. Kam folur me të dhe kam parë që sytë e tij shkëlqejnë, kur ia përmend atë pozicion. Ai do të jetë me siguri trajneri i Barçës, – tha trajneri i Manchester City për një nga dishepujt e tij më të mirë, së pari si lojtar dhe tani si trajner. – Xavi është shumë i guximshëm, nuk ka frikë t’i thotë gjërat qartë”.

Messi

Sipas teknikut të Manchester City, Pep Guardiola, ylli argjentinas, Lionel Messi është çelësi për të gjithë lojën e Barcelonës që fitoi gjithçka nën drejtimin e tij si trajner. Sepse sipas Guardiolas dhe asaj që trajneri spanjoll deklaroi për “Catalunya Ràdio”: “Ka trajnerë të mëdhenj që nuk kanë fituar asgjë, sepse nuk kishin Messin. Unë kisha fatin ta kisha atë, por edhe Xavi e Iniesta, e gjithashtu Dani Alves e Piqué. Madje në moshën perfekte”.

“Messi një ditë do të ta mbyllë dhe Barça do ta kapërcejë atë. Ajo që duhet të përgatisin është një vend për statujën e tij. Ata duhet të gjejnë një mënyrë për ta zëvendësuar, sikurse ndodhi me Kubala apo Johan dhe unë nuk kam asnjë dyshim se do ta gjejnë“, vijoi Guardiola.

“Yjet duhet të vrapojnë në fushë sikurse çdo lojtar tjetër, nëse nuk e bën, atëherë skuadra nuk të mbulon dot, duhet t’i bindësh ata të vrapojnë. Por nëse Messi do të vraponte tani aq sa bënte në sezonin e tij të parë me mua, atëherë ai do të dëmtohej çdo tre muaj. Gjëja më e vështirë për një trajner është që të menaxhojë legjendat në moshë 30 vjeç e sipër”, deklaroi ndër të tjera Pep Guardiola.