Nga Ervin Fetahu
Heronjtë e TROJËS zbritën që të gjithë në Thesproti, e pikërisht aty është gjendur sarkofagu i një prej heronjve trojan, në çdo hap që hedh tè shkel këmba mbi ato qytetërime, ndoshta nga më të lashtat në botë. Si qytetërimi grek edhe ai latin janë pjellë e kësaj zone dhe këtij qytetërimi i cili mban emrin ÇAMËRI.
Gjiri i Gumenicës është një ndër gjiret dhe limanet më të rëndësishëm të Mesdheut, historianët e lashtësisë si Tukididi e të tjerë i përshkruanin me shumë hollësi këto gjire joniane dhe i quanin gjiret e ÇIMERIUMIT, e sapo zbrisnin prej anijeve të tyre nga deti për në kontinent, ata çuditeshin dhe mendonin për një çast se kishin zbritur në parajsë, e jo në tokë, dhe kjo prej bukurive natyrore që shihnin aty.
Ky qytet-port ndodhet përballë ishullit të Korfuzit, dhe në një vijë bregdetare me portet e lashta të Butrintit, Sajadhës, Strovilit, Sivotës, Pargës dhe Prevezës.
Prej lashtësisë ishte një qytezë shumë e rëndësishme si pikë strategjike nga ku flotat luftarake ndërmerrnin ekspedita në çdo skaj të Mesdheut, Odiseja preferonte të kalonte përmes Thesprotisë dhe të takonte mbretin e saj e më pas të shkonte në DODONË.
Pakkush e di se vendlindja e PIRROS ishte pikërisht në këtë qytet të lashtë i cili në atë kohë quhej TITANI apo GITANI, dhe nga këtu mbreti epirot PIRRO nisej me anijet dhe elefantët e tij për të pushtuar ROMËN me ushtarët e tij trima, që fluturonin nxitimthi në beteja njësoj si shqiponjat, dhe ai me të drejtë i quajti shqipet e tij, nga ku ne kemi marrë emrin shqiptar.
ÇAMËRIA apo THESPROTIA kishte shumë qytete të lashta të cilave u kanë mbetur rrënojat dhe gurët e mëdhenj ciklopik si një dëshmi e një qytetërimi të stërlashtë pellazgjik.
Thesprotia në shkrimet e autorëve dhe historianëve të antikitetit quhej PELLAZGJI, këtë fakt nuk po e them si pellazgolog, por thjesht si njohuri të shtuar për lexuesin.
Duke u ndalur tek historiku interesant i këtij vendbanimi të lashtë iliro-epirot gjejmë zbulime arkeologjike nga më interesantet, sot në muzeun e këtij qyteti ndodhet përkrenarja e PIRROS, ndodhet mozaiku i diellit, simboli i Aleksandrit të Madh.
Heronjtë e TROJËS zbritën që të gjithë në Thesproti, e pikërisht aty është gjendur sarkofagu i një prej heronjve trojan, në çdo hap që hedh tè shkel këmba mbi ato qytetërime, ndoshta nga më të lashtat në botë.
Si qytetërimi grek edhe ai latin janë pjellë e kësaj zone dhe këtij qytetërimi i cili mban emrin ÇAMËRI.
ELIMËT, e kush janë Elimët do të thoni ju…?!
Ata ishin njerëz gjigand në përmasat e tyre trupore, saqë në gojëdhëna thuhet se kur ata ecin dridhej toka, ishin aq të fuqishëm saqë ngrinin me duar shkëmbinj të mëdhenj, ndërtonin kala, dhe gurët e latuar të këtyre kalave quheshin gurë ciklopik.
Ndërsa në Mesjetë qyteti i Gumenicës zotërohej nga fuqi të ndryshme, herë prej bizantinëve, herë prej bullgarëve, herë prej venecianëve, më pas prej principatave shqiptare te BUAJVE dhe ZENEBISHËVE, e në fund prej perandorisë osmane. Në kohën e principatave shqiptare qyteti ishte nën zotërimin e princit famëmadh GJIN BUE SHPATA, saqë gjiri kishte marrë emrin e tij dhe quhej VATHI i GJINIT.
Pozicioni strategjik i qytetit shtrihej mes dy maleve në grykë e cila të çonte drejt rrugëve perandorake nga Roma në Kostandinopojë.
Çamët e quanin GRIKO-HORI…duke patur parasysh grikën apo grykën e cila të orientonte drejt rrugëve dhe shtigjeve që shpërndaheshin në gjithë Epirin. Shumë hartograf dhe udhëtarë të huaj e kanë skicuar me kujdes pozicionin e qytezës bashkë me kalanë e vjetër të ndërtuar prej venecianëve dhe një mulli me erë majë një kodre, të cilat ende i kanë rezistuar kohës.
Aty për pak ditë ka qëndruar edhe shkrimtari i madh spanjoll Miguel SERVANTES, kur ishte marrë peng prej piratit shqiptar Arnaut MEMI.
Po ashtu beteja e madhe e LEPANTOS e kishte sjellë ne qendër të vëmendjes gjirin e shumëlakmuar të Gumenicës, ku zbarkonin flotat e Don ZHUANIT dhe Andrea DORIAS.
Në mes të vendbanimit me emrin GRIKOHOR ndodhej një kish mesjetare që barte shumë mistere me emrin AJAS-OMER apo SAINT-OMER, e cila me shumë mundësi ishte ndërtuar nga kryqtarët frëng.
Në anën e majtë të gjirit përballë me Korfuzin ndodhet gadishulli me emrin e lashtë GONEA dhe përfundonte me një ishull të vogël dhe shumë të bukur, ky gadishull ishte kahera që prej Bizantit e deri më sot pronë e trashëguar e familjes madhe të FETAHENJVE, ashtu siç është shprehur konsulli francez Pukëvil për këtë familje….: “Principales familles de la Thesprotie”.
Kalaja gjendet ende disi e rrënuar, edhe pse në kohën e Ali Pashës, agallarët dhe guvernatorët zonës e rikonstrutuan.
Brigjet e Çamërisë në kohën e Ali Pashës gëzonin një status të veçantë ku ushtarët e valiut të Janinës nuk u lejohej të hynin në zonë, dhe kjo marrveshje u prish kur pashait iu shtua oreksi për të hedhur në dorë portet dhe limanet e Çamërisë, e kështu plasi një mosmarrëveshje me feudalët dhe agallarët e zonës .Më vonë Aliu ra në paqe me agallarët e brigjeve çame, e kështu shartoi tre rrënje ulli, simbol të paqes dhe vëllazërisë (rrëfenjë e treguar në familjen time prej të parëve).
Ullinjtë janë ende të gjallë e marrin frymë, dhe quhen ullinjtë e Ali Pashës.
Në këtë periudhë udhëtarë apo konsuj të huaj si Martin Lik apo Pukëvili e përshkruajnë Gumenicën dhe grykën në të cilën shtrihej si një vend të virgjër që lundronte mes gjelbërimit 12 muajt e vitit, madje disa priftërinj katolik të dërguar prej Vatikanit në zonë në kujtimet e tyre ishim mahnitur prej shtëpive të gurta si kulla mesjetare dhe pemëve frutore dhe ullishtave të panumërta të mbjella që në kohën e kryqëzatave, pra 800 vjet më parë.
Dikur këto gryka e shtigje, jo më kot sot janë kthyer në korridore dhe autostrada, dhe kanë marrë një rëndësi tejet ekonomiko-strategjike, ndoshta do ju duket çudi, por Gumenica është porti i tretë më i madh e më i rëndësishëm i Greqisë, aty fillon autostrada më gjatë në Ballkan, e cila përfundon në Stamboll, aty ka plane për kalimin e hidrokarbureve drejt tregjeve europiane, aty gjenden dhe zonat më të mëdha ekonomike, ndaj bisedimet mes dy vendeve duhen bërë me lup në dorë dhe ditën për diell, sepse ato toka e troje kanë zot, kanë pronarët e tyre me gjeneza deri në 20 breza, dhe këtë gjë Greqia e di mirë, ajo s’mund të luaj me pronat dhe truallin e shqiptarëve të ÇAMËRISË.
Kemi 100 vjet që presim këtë ditë, çelësat e Çamërisë i dispojnë vetëm t’zotët e saj, dhe këto çelësa e kanë emrin TAPI…!